Maqedoninë e Veriut do të donim ta shihnim pjesë të BE-së si një partner shumë i mirë, deklaroi Eskobar

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, tha se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës, në një situatë kur nuk ekziston alternativë tjetër për rajonin përveç dialogut dhe integrimit evropian. I dërguari amerikan për Ballkanin foli në një intervistë për shërbimin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës nga Nju Jorku, ku pati takime në kuadrin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjatë të cilave diskutoi me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Çfarë u kuptua nga takimet e bëra me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor? A u treguan bindës në angazhimin për të vazhduar në rrugën e integrimit euroatlantik që ata kanë zgjedhur?

Gabriel Escobar: Kjo varet se me cilët udhëheqës ishte takimi, apo jo? Mund t’ju them tashmë se jam i shqetësuar se po shohim të marrë trajtë një Ballkan i dy shpejtësive. Kemi në njërën anë anëtarët e NATO-s që janë shumë të përkushtuar ndaj orientimit të tyre në NATO dhe atij evropian, dhe pastaj kemi tre të tjerët që po vështirësohen. Prandaj në takimet e mia, unë kam thënë në mënyrë të përsëritur se Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugëtimin euroatlantik për të gjithë ata. Dhe do të donim që të zgjidhnin dallimet e brendshme dhe rajonale që po i pengojnë të përparojnë.

Zëri i Amerikës: A mund të na thoni emrat e personave për të cilët po flisni?

Gabriel Escobar: Më lejoni t’ja filloj me Maqedoninë e Veriut. E falenderoj Maqedoninë e Veriut për rolin e arsyeshëm udhëheqës dhe rolin udhëheqës evropian, si kryesuese e OSBE-së. Mendoj se ajo që Maqedonia e Veriut provon vazhdimisht është se janë një partner shumë i mirë. Dhe në këtë drejtim, do të donim ta shihnim pjesë të Bashkimit Evropian si një partner shumë i mirë edhe aty. Shqipëria ka qenë e shkëlqyer në përqasjen për vendin që ka në Këshillin e Sigurimit, si dhe në rrugë dypalëshe dhe në kuadrin e NATO-s. Me Malin e Zi, patëm disa takime shumë të mira me presidentin e ri. E siguruam atë se është një partner i mirëpritur dhe i rëndësishëm i komunitetit transatlantik dhe i bëmë thirrje të inkurajojë krijimin e një qeverie ku marrin pjesë vetëm palë të përqëndruara tek Evropa dhe të përkushtuara ndaj NATO-s. Dhe ai tha se do të veprojë kështu. Pra, ne jemi të kënaqur që e mori këtë mesazh të rëndësishëm dhe që ai do të ndërmarrë veprime për këtë.