Maqedonia e Veriut për një vit e ka rritur borxhin publik për 576 milionë euro

Në vitin 2022 kemi përmirësim të deficitit të Buxhetit të Maqedonisë së Veriut krahasuar me vitin paraprak, por në krahasim me periudhën para pandemisë situata është më e keqe. Ndërkohë borxhi publik ka shënuar rritje për 8 përqind, transmeton Portalb.mk.

“Në raport me vitin 2021 pjesëmarrja e deficitit buxhetor në BPV është ulur për 0.3 %, që tregon stabilizim dhe ulje, por pjesëmarrja në BPV për vitin 2022 është në nivel më të lartë në krahasim me vitet para krizës ekonomike-shëndetësore”, raportojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Enti ka kryer revizionin e Buxhetit Themelor të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022.

“Buxheti për vitin 2022 është rreth 182 miliardë denarë, ndërsa në raport me vitin 2021 është ulur për 7 përqind, ndërsa në raport me mjetet e kërkuara nga shfrytëzuesit buxhetor është ulur për 29 përqind”, sqaroi Revizioni.

Revizioni sqaroi që edhe në vitin 2022 paraqitet problemi i njëjtë ku mjetet e miratuara në Buxhetin Themelor janë për 2 % më lartë në raport me vlerën maksimale të mjeteve të miratuara.

“Rritje e theksuar e mjeteve të miratuara për vitin 2022 ka te Ministria për Transport dhe Lidhje, ku në raport me vitin paraprak, kemi rritje rreth 5 herë, për shkak programit të ri qeveritar 2M – Investime në infrastrukturën rrugor, për realizimin e Projektit për ndërtimin e infrastrukturës së Korridorit 8 dhe Korridorit 10d”, njoftojnë nga Revizioni.

Deficiti buxhetor në nivel të Buxhetit Qendror ishte 5.1 përqind e BPV, që është 0.8 përqind më shumë sesa ajo e projektuar në Strategjinë Fiskale për 2022-2024.

“Të hyrat tatimore në vitin 2022 që janë realizuar janë mbi 13 % më shumë në krahasim me vitin 2021 dhe kanë pjesëmarrje prej 69 % në të hyrat e përgjithshme të Buxhetit Themelor për vitin 2022”, raportojnë nga Revizioni, duke theksuar që kjo përqindje në vitin 2021 ka qenë 54 %.

Në raport alarmohet që edhe deficiti në Fondin Pensional akoma krijon vështirësi në sigurimin e mjeteve për dhënien e pensioneve.

Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut në vitin 2022 është rritur për 576.6 milionë euro, duke marrë parasysh se në fund të vitit 2021 ishte 7.13 miliardë euro, ndërsa në fund të vitit 2022 ishte 7.70 miliardë euro. Kështu brenda një viti Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje të borxhit publik për 8 përqind.