Maqedonia e Veriut dhe mbarë bota islame sot feston Kurban Bajramin, gëzuar!

Besimtarët muslimanë në RMV dhe mbarë botën islame sot e festojnë Kurban Bajramin, një ndër festat më të mëdha islame.

Në ora 4.23 besimtarët në Shkup e kanë falur namazin e sabahut, ndërkaq në 5.38 namazin e Kurban Bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup dhe u transmetua drejtpërdrejtë në TVM2.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, reis Shaqir efendi Fetahu në porosinë e Kurban Bajramit potencon se festa e Kurban Bajramit simbolizon devotshmërinë e nivelit të lartë. Kjo festë e madhe e Kurban Bajramit, siç thotë ai,  i flet njeriut bashkëkohorë që krahas zhvillimit në sfera të ndryshme, t’i kthehet shpirtit, moralit, familjes së shëndoshë, shoqërisë fisnike që do të kontribuojë në afrimin në mes kombeve, në ndihmën në mes njerëzve, në ndaljen e vrasjeve, mbytjeve, luftrave, masakrave, gjenocideve, dhe evitimin e anomalive të rrezikshme që rrënojnë moralin njerëzor.

“Ajo na mëson të duam dhe t’i shërbejmë njëri tjetrit, të duam vetveten, familjen dhe njeriun e në veçanti të duam vendin ku jemi lindur duke mos e shkretuar atë duke migruar në vende të ndryshme të botës. Mesazhi i Kurban Bajramit na mëson që ne t’i qasemi jetës në vendin e nënave ku na kanë lindur, sepse ky vend ndjen dhimbje kur ia kthen shpinën, ç’do kush në vendin ku jeton dhe vepron ka obligim të ngritjes së punës së tij, zhvillimit të vendit të tij, për të ngritur një shoqëri ku fëmijët tanë do të jetojnë të lumtur. Mu për këtë, festa e Kurban Bajramit me të gjitha vlerat dhe elementet e saja ritualistike tregon konceptin e ngritjeve të shoqërive duke na mësuar se nuk ka vepra madhore pa sakrifica madhore dhe se ndihma e Zotit intervenon atëherë kur me përkushtimin më të madh japim gjithçka nga vetja, sinqeritetin, angazhimin, dijen, për një të ardhme më të mirë.” thuhet në mes tjerash në urimin e tij.

Kurban Bajrami, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

Gjatë kësaj feste urime kanë dërguar krerët e institucioneve shtetërore, njerëzit e jetës politike, akademike, e artistike në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

Redaksia e Portalb.mk të gjithë besimtarëve ua uron festën e Kurban Bajramit. Shëndet e gjitha të mirat!