MALET DHE LAJMET

John Muir (1838 – 1914), një mendimtar dhe ambientalist amerikan me origjinë skoceze, që u angazhua për mbrojtjen natyrës nga interesat industriale, tha: “Më duhet të shkëputem dhe të dal në mal që t’i mësoj lajmet”. Kjo thënie, që mund të përçmohet nga “të qytetëruarit”, e shpreh të vërtetën e mohuar në shekullin tonë.

Duke jetuar në botën e zhurmshme, kaotike, të ankthshme dhe makute nuk arrijmë ta kuptojmë se ç’ndodh me ne dhe rreth nesh.

Botën urbane mund ta njohim vetëm nëse e shohim prej një largësie të admirueshme. Atëherë mund të shohim diçka tjetër nga çfarë duket në gjithë shkëlqimin e rrejshëm, ku lëvizin marramendshëm dhe në “kohë reale” informacione kalimtare. Atëherë mund ta kuptojmë se në atë shkëlqim ka shumë terr në mendjet e njerëzve; se me gjithë informacionet e shumta, ka shumë paqartësi se çfarë ndodh me ne. Vetëm nga largësia e shohim sa u kemi dhënë rëndësi gjërave të parëndësishme; se në natyrën e virgjër ka gjëra të mrekullueshme, që s’i gjejmë në botën urbane. Vetëm atëherë mund ta kuptojmë se njerëzit që jetojnë në gjirin e natyrës dhe që i pandehim si më pak të qytetëruar, janë më të kursyer nga mashtrimi që na imponojnë mediet e kontrolluara nga qendrat e ndryshme politike dhe ekonomike.

Njerëzit që jetojnë në paqe me natyrën, në gjirin e maleve, të cilët shpesh i shohim me përçmim, e kanë thënien: “Mali rrit burra dhe fusha rrit kunguj”. Pra, kemi njerëz që botën e shohin ashtu siç është dhe njerëz që mendojnë se e njohin botën, por, në fakt, janë marioneta si personazhet e Beketit.

“Shoqëria flet dhe të gjithë njerëzit dëgjojnë, malet flasin dhe njerëzit e mençur dëgjojnë”.

Muir-i ndjente se në botën urbane i humbte gjërat e çmuara për shkak të babëzisë.

“Po i humb ditët e çmuara. Jam duke u shndërruar në makinë për të fituar para. Nuk mësoj gjë në këtë botë të parëndësishme të njerëzve. Më duhet të shkëputem dhe të dal në mal që t’i mësoj lajmet”.

Çfarë lajmesh arrijnë në mal?

Në mal arrijnë lajmet se në këtë botë ka shumë ngjarje të parëndësishme kalimtare dhe ka ngjarje të rëndësishme që ndodhin rrallë, por ndikojnë në jetën e njerëzve, kombeve dhe qytetërimeve. Lajmi kryesor, që mund ta mësojmë në mal, është se kemi shkuar shumë larg me shkatërrimin e natyrës. Çfarë rëndësie kanë gjërat tjera nëse natyra fillon të na hakmerret?

Muir u mahnit nga natyra sepse besonte se “rruga më e qartë drejt Gjithësisë kalonte nëpërmjet një shkretëtire pyjore”.

Në librin Mendimet malore (1870), që u mblodhën nga Linnie Marsh Wolfe, tha se njeriut i përshtatet gjithçka nga natyra e egër, ku “dielli nuk shkëlqen mbi ne, por brenda nesh”, ku “lumenjtë nuk rrjedhin përpara, por nëpërmjet nesh”, ku “pemët lëkunden dhe lulet lulëzojnë në trupat dhe shpirtrat tanë”, ku “trupi zhduket dhe shpirti i çliruar shkon jashtë”, ku “midis dy pishave hapet një derë drejt botës së re”.

Sipas Muir-it, njeriu, sado qoftë i ashpër, i thyer dhe i ligështuar, gjen harmoni të paparë në mal dhe kjo s’mund të përshkruhet nëpërmjet librave. Librat për natyrën, sipas tij, janë vetëm shenja orientuese për t’u treguar shtegtarëve se ku kishin qenë mendjet e tjera. Asnjë libër, thotë ai, s’e ndihmon njeriun për t’i njohur malet.

“Shijimi i një dite në mal është më i mirë se karrocat me libra”.

Muir-i e adhuronte natyrën, sepse na ofron mënyrë tjetër jetese; se në çdo shëtitje në natyrë “njeriu merr më shumë seç kërkon”; se aty “e humb mendjen, por e gjen shpirtin e tij”; se lart në male “të gjitha çmimet e botës nuk kanë kurrfarë vlere”. Njeriu mund të futet në zemrën e natyrës duke udhëtuar në heshtje dhe pa bagazhe. Udhëtimet tjera “janë vetëm pluhur, hotele, bagazhe dhe llafe”.

Ai dha një mesazh kuptimplotë për shkatërruesit e natyrës.

“Çdo budalla mund të shkatërrojë pemë. Ato s’mund të ikin […] Zoti është kujdesur për pemët, i ka shpëtuar nga thatësira, sëmundjet, ortekët dhe nga një mijë stuhi e përmbytje, por s’mund t’i shpëtojë nga budallenjtë […] Sa mendjengushtë jemi ne krijesat e vetëbegenisura dhe egoiste në simpatitë tona! Sa të verbër ndaj të drejtave të gjithë pjesës tjetër të krijimit!”

Ky mendimtar nuk ishte pa mëkate. I zihet për të madhe se shprehu racizëm ndaj afro-amerikanëve, duke i quajtur “të ndytë dhe dembelë”. I quajti kështu njerëzit që nuk e dëmtuan natyrën, që nuk e deshën atë vetëm për vete, por e vlerësuan si pasuri për gjithë njerëzimin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.