Makron e kaloi me humor gjendjen “jo fort të bukur” të syrit gjatë fjalimit drejtuar ushtrisë

Presidenti francez Emanuel Makron solli një moment humori gjatë fjalimit të tij të Vitit të Ri drejtuar forcave të armatosura të Francës, duke bërë shaka për një problem të dukshëm në sy, transmeton Portalb.mk nga Independent.

Duke u paraqitur me një sy të ënjtur dhe të skuqur në bazën ushtarake në Istres, në jug të Francës, Macron i siguroi të pranishmit se bëhej fjalë për diçka “plotësisht të padëmshme”.

Ai e nisi fjalimin duke iu referuar pamjes së tij, duke thënë: “Ju lutem më falni për pamjen jo fort të bukur të syrit tim. Natyrisht, bëhet fjalë për diçka krejtësisht të padëmshme.”

Më herët gjatë ditës, ai ishte parë me syze dielli gjatë një inspektimi të trupave në ambient të hapur.

Më pas, Macron bëri shaka me situatën, duke shtuar: “Thjesht shiheni si një referencë e paqëllimshme ndaj ‘Syrit të Tigrit’… Për ata që e kuptojnë referencën, është një shenjë vendosmërie.”

Kjo ishte një aludim i qartë ndaj këngës së famshme “Eye of the Tiger” nga grupi amerikan i rokut Survivor, kolonë zanore e filmit Rocky III të vitit 1982, me protagonist Sylvester Stallone.

Pavarësisht këtij momenti me humor, fjalimi i Macron u përqendrua në sfidat kyçe për ushtrinë në vitin 2026.

Mes tyre përfshiheshin përshpejtimi i riarmatimit të Francës, vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën dhe vendimi për të dërguar trupa në Grenlandë, si shenjë mbështetjeje për Danimarkën.