Macron: Franca do të mbështesë të gjitha përpjekjet e RMV-së në rrugën drejt BE-së, në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare
Kryeministri Hristian Mickoski dje në margjinat e Samitit të 5-të të Bashkësisë Politike Evropiane në Budapest ka takuar presidentin francez Emmanuel Macron. Siç njoftojnë nga Pallati Elysee, Mickoski dhe Macron u pajtuan për rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Francës dhe Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në aspektin e bashkëpunimit ekonomik në fushën e energjisë, shëndetësisë dhe transportit, transmeton Portalb.mk.
Macron, siç shtojnë nga Pallati Elysee, i ka thënë Mickoskit se Franca do të mbështesë rrugën e integrimit evropian të vendit, por siç theksoi, në përputhje me obligimet e saj ndërkombëtare.
“Presidenti i Republikës konfirmoi mbështetjen e Francës për trajektoren evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi se Franca do të mbështesë të gjitha përpjekjet e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim, në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Pallatit Elisee.
Kryeministri i RMV-së dje ka njoftuar për takimin me presidentin francez përmes profilit të tij në Facebook.
“Diskutuam hapur për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian. Unë jam optimist për të ardhmen tonë, ne luftojmë për argumentet tona dhe të vërtetën që është e pashmangshme. Do të bëjmë maksimumin për të ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare”, tha Mickoski.
Në një video fjalim nga Budapesti, ai ka treguar se në takimet që ka pasur me disa nga politikanë evropianë janë paraqitur pikëpamjet dhe argumentet për rrugën evropiane të vendit dhe ka thënë se është optimist për rrugën evropiane të vendit.
“Me çdo takim luftojmë gjithnjë e më shumë për argumentet tona dhe për të vërtetën siç është, të vërtetën që qytetarët tanë e ndjejnë dhe që është e rëndësishme për Maqedoninë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për Maqedoninë në javët, muajt dhe vitet në vijim. Duhet të kemi sukses, duhet të jemi aty ku meritojmë dhe kjo është një histori e suksesshme evropiane dhe vendi ynë është brenda Bashkimit Evropian”, tha Mickoski në fjalimin e tij.
Ndryshe, presidentja e KE-së Ursua von der Leyen, gjatë vizitës në Shkup më 24 tetor 2024 tha se Maqedonia e Veriut duhet t’i zbatojë ndryshimet kushtetuese që të mund të ecë përpara në rrugën e saj eurointegruese.
Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.