Lufta ndikon edhe në F1

Situata kaotike në Lindjen e Mesme vazhdon të shqetësojë drejtuesit e Formula Një dhe Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, ndërsa kalendari i këtij sezoni përfshin dy gara të rëndësishme në rajon. Sipas planifikimit aktual, Çmimi i Madh i Bahrejnit dhe Arabisë Saudite është caktuar të zhvillohet më 12 dhe 19 prill. Megjithatë, situata e tensionuar në rajon ka ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e zhvillimit normal të këtyre eventeve, duke qenë se vendet pritëse janë të përfshira të paktën indirekt në skenarin kompleks dhe të rrezikshëm të konfliktit, raporton Klan.

Edhe pse drejtuesit e FIA-s dhe Formula 1 po shqyrtojnë opsionet e tyre, deri tani nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Organizatorët po monitorojnë situatën në kohë reale, ndërsa vështirësitë logjistike dhe operative për zhvillimin e garave duken gjithnjë e më të mëdha. Një nga problemet kryesore lidhet me mundësinë e zëvendësimit të këtyre dy garave nëse ato anulohen. Me një kalendar tashmë të mbushur me 24 gara, ricaktimi i tyre duket pothuajse i pamundur, madje edhe nëse do të merrej parasysh afërsia me garën përmbyllëse të sezonit në Abu Dabi.

Përveç sfidave organizative, ekziston edhe një aspekt i rëndësishëm ekonomik. Bahreini dhe Arabia Saudite paguajnë respektivisht rreth 60 milionë dhe 55 milionë dollarë në vit për të pritur garat e Formula 1, çka i bën këto evente ndër më fitimprurëset për kampionatin.

Sa i përket alternativave, ato janë të kufizuara. Një nga opsionet më të përfolura është rikthimi i mundshëm i Çmimit të Madh të Turqisë në kalendar, pasi pista e Stambollit konsiderohet një zgjidhje relativisht e sigurt, pavarësisht afërsisë gjeografike me rajonin e tensionuar. Një tjetër vend i përmendur është Azerbajxhani me garën në Baku, por sulmet e fundit me dronë në rajon kanë ngritur shqetësime për stabilitetin dhe sigurinë.

Nëse asnjë nga këto opsione nuk realizohet, Formula Një mund të detyrohet të shohë drejt pistave historike në Evropë për një zgjidhje emergjente. Vendimi përfundimtar pritet në javët e ardhshme, ndërsa situata në Lindjen e Mesme vazhdon të evoluojë.