Librofilët nga stafi i Portalbit edhe për këtë verë sugjeruan libra për pushime

Askush në pushime nuk shkon për të lexuar, por sërish askush nuk niset pa një libër, duke pasur parasysh që jo gjithë kohës mund të rrish e të lahesh në det. Disa marrin libra për të bërë foto artistike, disa janë librofilë që s’ bëjnë dot pa një libër. Por, secili nga ne “Portalbistët” ashtu siç edhe ju mbase, keni pasur të paktën një përvojë kur e keni marrë librin e gabuar në plazh dhe më pas i keni kushtuar më shumë rëndësi gjetjes së librit që ia vlen ta marrësh me vete.

Me që vera sjellë periudhën kur trupi do pushimin ashtu si edhe mendja, kujdesuni që në plazh të shkoni me një autor ” të njohur” nëse nuk i keni qejf ”surprizat”. Rimbushja e trupit me vitaminën ‘’d’’, energji të reja fizike, duhet shoqëruar edhe me një përkujdes të ‘’ushqimit’’ mental duke u kushtuar në radhë të parë rëndësi librave për ngritjen shpirtërore. Kështu, detoksifikojmë edhe trupin edhe mendjen.

Shpesh për pushime marr libra që nuk janë fort letrar, do thoja libra misionarë, që frymëzojnë ose të ndihmojnë në ngritje emocionale. Sugjeroj që pushimet të jenë kohe e rezervuar për të dëgjuar trupin dhe për të punuar për mendjen. Të ndihmojmë në sinkronizimin e tyre që të na shërbejnë sa më mirë në rrugën që na pret. Edhe një rrotullim rreth diellit, të lexojmë libra që na bëjnë të mendojmë se dielli jemi ne. Na mbushin me vetëbesim dhe na motivojnë për jetë, punë, dashuri. Të shkëlqejmë sa më shume, sa më mirë. Ndaj, për sivjet sugjeroj:

Inteligjenca emocionale, Daniel Goleman– Truri apo zemra ? ! Definitivisht ky është një libër që i jep përgjigje kësaj pyetjeje dhe i jep një kuptim tjetër të qenit “i mençur”.

Stoiku i përditshëm, Ryan Holiday, Stephen Hanselman- Ku mund ta gjesh harenë e vërtetë? Si mund ta shfrytëzosh fuqinë e arsyes? Cili është matësi i vërtetë i suksesit? Si duhet ta menaxhojmë inatin? Si të gjejmë kuptimin e jetës? Si ta mposhtim vuajtjen? A jeni të gatshëm për të medituar dhe për të kërkuar përgjigje!?

Psikovampirët, Hamid Peseschkian, Connie Voigt- A e njihni atë njeriun që po e takuat nuk keni më as disponim as energji për të vazhduar?! Shkenca e psikologjisë i njeh si ‘’psikovampirë’’. Është koha të mësoni t’i mbani larg për një jetë të shëndetshme gjatë krejt vitit dhe një plazh të mbarë verës.

Ja dhe sugjerime të tjera:

Elida Zylbeari, kryeredaktore:

“Burra pa gra” nga Haruki Murakami. – Me këtë koleksion tregimesh autori me mjeshtëri na mban lidhur për botën mahnitëse japoneze duke na nxitur të zbulojmë me ëndje fatin e personazheve.

“E egër: Nga e humbura tek e gjetura, në gjurmët e shtegut të Pacifikut” nga Sheril Strejd.

Ky memoar i bazuar në ngjarje reale nga jeta e autores, e cila një ditë vendos të ecë mbi 1600 kilometra në shteg malor është aq i fuqishëm saqë nuk kam fjalë ta përshkruaj. Një libër inspirues për fuqinë mbinatyrore që një grua e shfaq kur e ndan mendjen.

“Kështjella e bardhë” nga Orhan Pamuk. Një libër më pak i njohur nga autori por që ia vlen të lexohet sepse në vete fsheh një storie shumë interesante të një të riu që kapet rob nga ushtarët e sulltanit.

Elida Zylbeari, kryeredaktore
Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalb.mk

Fisnik Xhelili, zv.kryeredaktor:

Këtë verë jam duke eksploruar shkrimtarin japonez Haruki Murakami, andaj librat që do sugjeroja për lexuesit tanë janë nga po ky autor. Rekomandoj romanet “Pylli Norvegjez” dhe “E dashura ime Sputnik”. Gjithashtu dy librat me tregime “Pas tërmetit” dhe “Në vetën e parë njëjës”, gjithashtu edhe veprën “Braktisja e një maceje”. Ndërsa së fundmi kam filluar romanin ”Burra pa gra”, jam ende në fillim, nuk e di nëse do më pëlqejë, por marrë parasysh veprat tjera, mund të them se Murakami nuk zhgënjen.

Fisnik Xhelili
Fisnik Xhelili

Teuta Buçi, gazetare:

“Unë dhe Hemingueji” nga Paula McLain

Një roman që e kam lexuar së fundmi dhe do ta rekomandoja, posaçërisht për ditë plazhi. Romani ju kthen në kohë, në luftën civili në Spanjë, ku betejat e ashpra të luftës bëhen pikë takimi i gjeniut të letrave Ernest Heminguej dhe korrespondentes së luftës dhe shkrimtares në ngritje, Marta Gellhorni

Në zemër të luftës, ajo solli në jetë zërin e njerëzve të thjeshtë… dhe gjeti veten. Një histori dashurie mes njërit ndër shkrimtarët më të mëdhenj të kohës së tij dhe një gruas që do të rrezikonte gjithçka, për të gjetur zërin e saj.

’Portreti i Dorian Greit’’ nga Oscar Wilde- Edhe pse i shkruar në fund të shekullit 19, tematikat e trajtuara në këtë roman mbeten ende aktuale.

Përmbysja e vlerave morale dhe fryma hedoniste ta kujton të sotëm të jetës, të cilat në kohën bashkëkohore përkthehen në krizën e vlerave të shoqërisë së sotme si dhe konceptin konsumist, ku individi vë paranë dhe kënaqësinë mbi gjithçka.

’Problemi Spinoza’’, Irvin Yalom- Në këtë roman, do të lexoni mbi sfidat me të cilat u përball Spinoza, një ndër mendjet më të ndritura të shekullit 17, gjatë edukimit të tij filozofik. Si pasojë e ideologjisë së tij, ai u përjashtua nga shoqëria dhe u shtrëngua të bëjë një jetë vetmitare. Por kjo nuk e pengoi që të nxjerrë në dritë vepra të cilat hodhën bazat e Iluminizmit të shekullit të 18-të. Këto vepra reqind vjet më vonë, e trazuan mendjen e Rozenberg, që u bë një ndër themeluesit e partisë naziste dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Hitlerit.

Teuta Buçi
Teuta Buçi

Faton Curri, gazetar:

Librat (auto)biografik janë një zgjidhje e mirë për lexuesit në çdo vend, siç është edhe plazhi. Duke lexuar tregime reale për jetën e të tjerëve, mund të nxirren mësime (këshilla) të mira për jetën, si një mënyrë për përmirësim e realitetit. Realiteti ndryshon përmes veprimit, që zakonisht përcaktohet nga një mendim i joni i krijuar nga përvojat. E nuk ka mënyrë më të mirë për të fituar përvoja sesa leximi, që llogaritet si një udhëtim në kohë. Kapituj jo të gjatë, që nuk varen njëri prej tjetrit, e nuk kërkojnë shumë përqendrim, mund t’i gjejmë te libri “Takime e mia me…” nga Blendi Fevziu. Një libër që të shëtit në kohëra dhe vende të ndryshme, ku bashkudhëtar është autori me personalitete të njohura shqiptare.

Aty mësojmë të PANJOHURAT për shqiptarët e NJOHUR, ndërsa të PANJOHURAT për nobelistët e NJOHUR, mund t’i shohim në librin e Enver Robellit “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”. Në të dy veprat mund të shohim jetën private e publike të personaliteteve të njohura, duke diskutuar për gabimet dhe sukseset e tyre. Nëse nuk arrijmë t’i gjejmë këta dy tituj, nuk do të ishte zgjidhje e gabuar edhe nëse gjejmë ndonjë përmbledhje me anekdota si të Xhemajl Abrisë, Dervish Goxhulit, Mujë Loshit apo Daut Demakut.

Faton Curri , gazetar
Faton Curri , gazetar