Letra e Ali Ahmetit: Ruajtje e stabilitetit a lëvizje e panevojshme?
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në opozitë (BDI), Ali Ahmeti, pas letrës së dërguar liderëve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, ku shprehu shqetësimin për mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit, të hënën me një letër të ngjashme i është drejtuar edhe kreut të Qeverisë maqedonase, Hristijan Mickoski, lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut kanë mendime të ndryshme sa i përket letrës së Ahmetit. Disa e shohin këtë veprim si paralajmërim për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm të vendit, ndërsa të tjerë e cilësojnë si një lëvizje të panevojshme.
Në letrën drejtuar Mickoskit, kreu i BDI-së, Ahmeti, thekson se vendimet për heqjen e mekanizmave mbrojtës për komunitetet (Balancuesi) dhe “planet për ndryshimet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve”, jo vetëm që janë politikisht të diskutueshme, por njëkohësisht janë “shumë të rrezikshme dhe të dëmshme për përparimin dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë”.
Analisti dhe botues i një gazete në Maqedoninë e Veriut, Arben Ratkoceri, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata aktuale është delikate dhe kërkon kujdes të veçantë.
“E dimë se sa sensitiv është rajoni, si dhe Maqedonia e Veriut, përballë krizave globale që po ndodhin. Inercia e këtyre krizave dhe faktorët e tjerë globalë mund ta shfrytëzojnë situatën për të destabilizuar minimalisht rrafshin politik të Maqedonisë së Veriut, për të mos thënë atë të sigurisë”, thotë Ratkoceri.
Por, kështu nuk mendon edhe Zoran Ivanov, gazetar dhe komentues i çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk mund të vlerësoj, por konsideroj se fjala është për ego. Nuk po them se për disa punë, dhe për këtë temë, nuk ka të drejtë (ai – Ali Ahmeti) por, prapë se prapë mendoj se më të afërmit e tij, nga partia, duhet të gjejnë një mënyrë që t’i sugjerojnë se historia me zgjedhjet e majit ka përfunduar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ivanov.
Ai i konsideron letrat e Ahmetit si një “e shtënë me barut të lagur”.
“Shansi, edhe për të (Ali Ahmetin), edhe për BDI-në, për t’u rikthyer në portën fituese dhe për të rikthyer autoritetin e tij të padiskutueshëm deri para një kohe, në elektoratin shqiptar, është te fjala e votuesve që duhet ta thonë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Këtu, edhe ai (Ali Ahmeti), edhe partia, duhet ta harxhojnë energjinë e tyre politike”, konsideron Ivanov.
“Mendoj se kjo me letrat është vetëm e shtënë me barut të lagur”.
Ahmeti, në letër gjithashtu paralajmëron se në situatën aktuale gjeopolitike, të cilën ai e cilëson si më të rrezikshme që nga fundi i shekullit të kaluar, çdo tension i ri në marrëdhëniet ndëretnike do të ketë “pasoja të rënda për kohezionin e brendshëm dhe stabilitetin e vendit”. Ai i bën thirrje Mickoskit të “mendojë me pjekuri dhe përgjegjësi” dhe thotë se e ardhmja e vendit duhet të ndërtohet në bazë të bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, e jo me ndarje.
“Situata gjeopolitike është më e rrezikshme se në çdo kohë që nga fundi i shekullit të kaluar, me përshkallëzimin e agresionit rus në Ukrainë, ambiciet e Kinës, situatën komplekse në Ballkanin Perëndimor, paqëndrueshmërinë në Bosnje dhe Hercegovinë, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe bllokadat e vazhdueshme nga ana e Bullgarisë. Në këtë mjedis të komplikuar, çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike do të kishte pasoja të rënda për kohezionin e brendshëm dhe parashikimin”, thuhet në letrën e Ahmetit, drejtuar kreut të Qeverisë maqedonase.
Në këtë kontekst, Ratkoceri, termin “pasojë”, e përshkruan si shumëdimensional.
”Ndoshta reflekton në proceset ose shprehjet demokratike të një moskënaqësie në një pjesë të shoqërisë”, shprehet ai.
“Rajoni funksionon si një efekt domino, prandaj, z.Ahmeti, si një politikan me përvojë në këto procese, mendoj se po mundohet ta mbajë këtë pakënaqësi brenda një kornize të debatit të brendshëm politik dhe të parandalojë përkeqësimin e situatës, përmes këtyre formave”, konsideron Ratkoceri.
Ndërkohë, për letrën e Ahmetit, kryeministri Mickoski u përgjigj shkurt.
“Jo, nuk e kam parë. Unë çdo ditë marr shumë letra, dhe i lexoj me kujdes. Marr shumë porosi dhe me kujdes të madh i qasem çdo komunikimi me qytetarët. Z. Ahmeti është qytetar, dhe duhet t’i kushtoj vëmendje çdo letre nga çdo qytetar. Kur ta lexoj, do të jap komentin tim”, tha të hënën Mickoski derisa po merrte pjesë në inspektimin e ndërtimit të segmentit Gostivar – Bukojçan, pjesë e Korridorit VIII.
Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, nga koalicioni VLEN, pjesë e Qeverisë maqedonase, e cilësoi letrën e Ahmetit si “boshe.”
Ahmeti, ditë më parë, iu dërgoi letër edhe udhëheqësve të lartë shqiptarë (presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, presidentes dhe kryeministrit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti) dhe atyre ndërkombëtarë (presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken).
Sipas BDI-së, letrat e dërguara nga Ahmeti adresuan tri vendime të fundit: shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimin e identifikimit etnik në institucionet shtetërore dhe formimin e një qeverie pa përfaqësim të drejtë etnik.
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili u miratua shtatë vjet më parë.
Kryeministri Mickoski tha më 26 tetor se nuk kontestohet i gjithë ligji, por vetëm dy-tri dispozita.
Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut përdoren si gjuhë zyrtare ato gjuhë që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit. Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji. Gjithashtu, ligji siguron përdorimin e gjuhëve të tjera të komuniteteve me përfaqësim më të vogël se 20%.
Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut po ashtu vendosi të shfuqizojë Balancuesin, një mekanizëm softuerik që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve etnike në administratën publike.
Nga BDI-ja, shfuqizimin e Balancuesit e cilësuan si ndërhyrje në Marrëveshjen e Ohrit.
Ky mekanizëm ishte krijuar për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001 dhe siguronte që përqindja e punësimeve të përputhej me përbërjen etnike të popullsisë.
Si përgjigje ndaj shfuqizimit të Balancuesit, koalicioni shqiptar VLEN, që është pjesë e Qeverisë maqedonase, ka njoftuar se është duke hartuar “ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”.
Por, pavarësisht këtij pohimi të koalicionit VLEN, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev ka deklaruar se ende nuk e ka parë draft-versionin e koalicionit “VLEN”.
“Jo, ende nuk është formuar grupi i punës, por jam i sigurt se Qeveria ka kapacitet dhe mundësi politike për të arritur një zgjidhje serioze, sistematike dhe cilësore. Nuk ka nevojë për nxitim. Duhet të kemi durim, sepse kemi pasur edhe situata kur nga viti 2001 deri në vitin 2015 nuk ka pasur ‘balancues’, por është zbatuar kategoria kushtetuese, përfaqësimi i drejtë i bashkësive etnike”, tha të hënën ministri Minçev.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, pasi u dërgoi letra disa përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe krerëve të shteteve, në të cilat shprehte shqetësimin për mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit, me 28 tetor, një letër të ngjashme i ka dërguar kryeministrit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese.