Kush është profesoresha Drita, përveç se e bija e poetit të mirënjohur Abdylazis Islamit?

Për lexuesit e Portalb.mk, sot sjellim profilin e profesoreshës Drita, pinjollë e familjes Koticaj të fshatit Gajre, e cila lindi në Tetovë, ku e kreu shkollën fillore, atë të mesme – gjimnazin , për të vazhduar mëtej fakultetin filologjik dega Gjuhë shqipe dhe Letërsi në Shkup.

Drita Islami, fotografi personale
Drita Islami, fotografi personale

A thua pse Drita u orientua dhe zgjodhi për të studiuar gjuhë dhe letërsi? Mos vallë ia imponoj babai i saj? Jo, babai i saj madje ishte kundër. Ai donte që Drita të studionte mjekësinë, por, ajo spontanisht, e rrethuar nga gjithë ato libra, sigurisht që është ndikuar nga librat të cilat ja kanë mbjellur dashurinë për letërsi.

Pasi kreu fakultetin, Drita punoi në disa shkolla, mes tjerave edhe në shkollën “Bratsvo – Migjeni ” në Tetovë, nga e cila pa dëshirën e saj u largua nga i famshmi aso kohe “diferencimi ideo – politik”, si pasojë e një libri të ndaluar të babait të saj “Korrieri Artan Arta” dhe ngeli dhjetë vite pa punë, që në fund të punësohej në shkollën e mesme profesionale të tekstili, ku qëndroi deri në pensionimin e plotë të saj.

Por puna në shkollat e mesme të mëson si të sillesh me brezat më të rritur, kuptohet me natyra të ndryshme njerëzish.

“Si mësuese nuk ka qenë edhe e lehtë e njëkohësisht edhe mësuese e letërsisë ku duhej të lexonte në vazhdimësi veprat e autorëve të përfshirë në plan-programin shkollor që ndryshonin vit për vit, ku përcillte gjeneratat nga viti i parë e deri në të katërtin”, tregon ajo për Portalb, dhe thotë që  shpesh ka hasur shumë vështirësi lidhur me mos-përfshirjen në program të  shumë autorëve me vlera.

Autorët që nuk kanë qenë përfshirë, thotë i ka shpjeguar në orët plotësuese me qëllim, që nxënësit të njihen me autorë të ndaluar e të vetëdisohen kombëtarisht. “Gjithashtu, merreshim edhe me aktivitete tjera dhe kishim revistën e shkollës “Ritmi ” ku i botonim punimet e nxënësve nga drejtime e profile të ndryshëm,  organizonim orë letrare me prezencën e ndonjë shkrimtari të ftuar”, thotë ajo.

Nxënësit pa durim i prisnin festat e Nëntorit dhe të 7- Marsit për të festuar me recitale, drama, dhe me valle e përmbyllnim programin. Sot, tregon se ndihet e lumtur kur i sheh nxënësit e saj të avancuar në profile të ndryshme siç janë mjek, piktorë, profesorë, inxhinierë, sipërmarrës, administratorë në institucione dhe sektorë të ndryshëm.

Drita pati fëmijëri të lumtur sepse u rrit në krahët e dy prindërve fisnikë e në veçanti afër babait të saj një njeri i veçantë, parimor dhe plot delikatesë me virtyte të larta njerëzore, ku mori edukatën shkollore dhe tërë dashurinë për letërsi. Drita nuk ka shkruar me përjashtim të ndonjë kritike të shkurtër letrare për autorë të caktuar.

Drita me babain e saj, në fëmijëri i kujton çaste të lumtura por edhe çaste që i kujton shpesh dhe kur nuk i harron. Të jetosh me një krijues principiel dhe me shumë parime nuk ka qenë edhe aq e lehtë.

“Unë si bijë e poetit ndihem shumë krenare, jetova dhe u rita e mësova shumë gjëra nga ai por ka edhe diç të veçantë në këtë histori është vështirë të jesh gjithmonë afër një krijuesi sepse ke përpara portretin e një njeriu të vuajtur të humbur në mendime duke e parë gjithnjë pranë makinës së shkrimit me fletët e zhubrosura gjithandej rreth tij derisa të arrijë për ta vënë në letër atë më të mirën më të bukurën shpesh i nervozuar por edhe shumë herë i qeshur atëherë kur qëllimi i dukej realizuar” thotë ajo.

Drita Islami, fotografi personale
Drita Islami, fotografi personale

Se çfarë parimeve duhej t’u përmbahej, Drita e ilustron vetëm me një shembull të thjeshtë por shumë domethënës. Kur babai i saj e urdhëron për të shkuar në shitore për të blerë diçka dhe i jep sigurisht pak më tepër para për të blerë një simit, por diçka më tepër sigurisht për gazetën por Drita pasi kryen obligimet gazeta nuk i kujtohet dhe kur kthehet në shtëpi e lumtur lozonjare dhe babai e pyet: Bleve simit? Drita i thotë po, ishte i ngrohtë.
E pyet: Po gazeta ishte aty? Drita i thotë po dhe shtanget!
Babai: Edhe gazeta ka qenë e ngrohtë madje sapo ka dalë nga furra!
E gjithë kjo ishte t’ua mbjellë në tru që gazeta mos harrohet sepse aty gjente lajmet, faqen për kulturë e shumëçka tjetër dhe këtë Drita kurrë nuk e harroi më.

Marrëdhëniet e Dritës me babain e saj, shkrimtarin Abdylazis Islami

Drita kishte një afërsi të pazakontë me babain e saj, çdo fjalë e tij, çdo këshillë, çdo amanet ngulitej thellë në trurin e saj dhe nuk ja hiqje dot dhe kjo do t’i ndihmonte asaj më vonë edhe në rastet më të rënda, sepse në familjen e Dritës do të ndodhin shumë tragjedi!
Si maturante Drita e humbi vëllain e madh në një moshë shumë të re, ishte absolvent i fakultetit të stomatologjisë. Pastaj, Drita humbi edhe motrën më të madhe se ajo. Edhe kjo Dritën shpirtërisht e lëndoi shumë, por përsëri i kishte në ndihmë dhe krahë prindërit. Pas disa viteve i ndërroi jetë babai i cili e theu shpirtërisht, por amaneti dhe këshillat e tij përsëri i erdhën në ndihmë, i iku edhe nëna atëherë e konsideronte veten jetime. Por, do të ndodhë edhe më e keqja, i ndërron jetë edhe motra tjetër më e re se Drita, me të cilën ishte fort e lidhur, po një mësuese brilante që edhe kjo la pas tre fëmijë.

Sot Drita ka një vëlla, aq të afërt që asaj ia plotëson prindërit, vëllain e ndjerë dhe motrat! Drita Islami është e martuar në fshatin Xhepçisht, ka dy djem, Redonin, ekonomist i diplomuar, i martuar, prind i dy fëmijëve i punësuar në Tetovë dhe Veronin me fakultetin e shkencave të komunikimit, i martuar, prind i një fëmije, por që jeton në Gjenevë të Zvicrës.

“Fëmijët tanë janë rritur në mes librave kanë pasur fatin të rriten edhe me përrallat e gjyshit të tyre shumë të dashur. Këtë edukatë leximi e trashëguan ku librin e konsideronin më të shijshme se çokollata” thotë ajo.

Drita vinte nga një familje dhe një rreth krejt tjetër dhe befas u gjend në një rreth dhe ambient shumë ndryshe asokohe, ku edhe në shitoren e katundit nuk mund të hynte për tu shërbyer një grua. Por Drita kurrë nuk hezitoi ta thyejë këtë akull dhe sakrifikoi dhe dha shumë mund për emancipimin në veçanti të vajzave që kishin potencial të lartë, arsimor por që u mungonte kultura shkollore pa fajin e tyre sepse ashtu ishin edukuar. Drita mundohej ta ndryshojë këtë mentalitet dhe tani kjo gjendje është krejt ndryshe, ka plot vajza mjeke, arsimtare, me shkollim edhe më të lartë, me master dhe ligjëruese në shkolla të mesme e fakultete. Por, që dikush në fillimet e kësaj gjendje duhej të sakrifikonte, kjo ishte Drita e ndihmuar pa dyshim edhe nga shoqe të tjera por të rralla, që mund t’i numërojë me gishtat e dorës.

Tani Drita është në pension dhe bashkë me bashkëshortin e saj dhe djemtë jetojnë në shtëpinë e tyre në fshat, si një gjyshe e përkushtuar. Por për fatin e saj, e ngarkuar mjaft si gjyshe e përkushtuar, i mbetet shumë pak kohë për tu marrë me ndonjë aktivitet.