Kurti: Ushtria serbe lëvizi 50 metra afër kufirit, iku kur e xhiruam
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mbrëmë ka publikuar disa pamje për të cilat ka thënë se tregojnë lëvizjen e Ushtrisë së Serbisë në afërsi prej 50 metrash me vijën kufitare me Kosovën, raporton Portalb.mk.
Kurti ka thënë se kur e kanë vërejtur që po xhirohen, kanë ikur me shpejtësi.
“Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka thënë se autoritetet e sigurisë kanë ndërprerë kontrabandën me drunj të prerë ilegalisht.
Serbia ka akuzuar Kurtin për fushatë dezinformuese kundër ushtrisë serbe.
“Autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se më 24 shtator 2023, dhjetëra serbë të armatosur patën sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë duke vrarë policin Afrim Bunjaku.
Në aksionin pasues të Policisë ishin vrarë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, që besohet se është në Serbi.
Kosova dhe Serbia ndajnë vijë kufitare prej 350 kilometrave, ndërsa mbi 60 përqind përfshin komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe.
Për Kosovën vija kufitare është kufi, kurse për Serbinë vijë administrative.