Kurti kërkoi statusin e kandidatit në takim me Costan: Kosova e rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor në Tivat, ka njoftuar se është diskutuar për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal, raporton Koha.net.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit është bërë e ditur se në takim Kurti ka folur për përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.

“Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, thuhet më tej në njoftim.

Më tej është shprehur gatishmëria që vendi ta marrë statusin kandidat, si dhe për hapjen e negociatave.