Kurti: Avancimi i Kosovës në NATO hap i rëndësishëm, përkundër fushatës së Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar hap të rëndësishëm që Kosova mori statusin e vendit anëtar të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke thënë se kjo u arrit “përkundër fushatës së Serbisë”, raporton Koha.net.

Ai ka shkruar në Facebook të hënën se Kosova mori këtë status në prag të 25-vjetorit të çlirimit.

“Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka shprehur mirënjohje për vendet aleate “që me votën e tyre i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës”.

“Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, ka shkruar ai.