Kur Zvicra foli shumëgjuhësh në zemër të Dobroshtit 

Mëngjesin e 10 prillit, salla e shkollës “Faik Konica” në Dobrosht u kthye në një strehë shumëngjyrëshe kulturash dhe gjuhësh, transmeton Portalb.mk. 

Nxënësit, të emocionuar dhe të përkushtuar, sollën Zvicrën në Tetovë, jo përmes hartave apo librave, por përmes fjalëve të gjalla, tingujve muzikorë, skeçeve shumëgjuhëshe dhe stendave krijuese që flisnin përveç në frëngjisht po ashtu edhe në gjermanisht, italisht dhe romançe për të vënë në dukje diversitetin e dy shteteve. 

Një version zviceran i Alisës në Botën e Çudirave erdhi në jetë mbi skenën e improvizuar, ku fëmijët udhëtonin mes fantazisë dhe realitetit alpin. 

Ngjarja ishte frymëzuar dhe iniciuar nga Aleanca Franceze e Tetovës, në bashkëpunim me nikoqirët e shkollës “Faik Konica”. Kjo festë e frankofonisë u bë një homazh i vogël për një vend të madh si Zvicra – vendi i kantoneve dhe i bashkëjetesës në diversitet.

Në hapësirat e brendshme të shkollës, të zbukuruara me simbole zvicerane, u përfaqësuan me pasion dhe krijimtari kantonet: nga Tessini te Grisoni, nga Saint-Galli te Vaudi, Gjeneva, Berni, Neuchâteli e deri te Valaisi dhe Zyrihu.

Përveç nxënësve të “Faik Konica”, këtë rrugëtim kulturor e pasuruan me pjesëmarrjen e tyre edhe nxënësit e Aleancës Franceze të Tetovës, si dhe shkollat fillore “Liria”, “Asdreni” (Gllogjë), “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Poroj), “Naim Frashëri”, dhe shkolla e mesme ekonomike “8 Shtatori”. 

“Ishte më shumë se një ngjarje: ishte një festë e shpirtit frankofon, një urdhër i butë për të njohur tjetrin përmes gjuhës, artit dhe lojës. Në zemrën e Dobroshtit, Zvicra foli përmes buzëqeshjes së fëmijëve tanë”, deklaroi Mimoza Ceka, drejtoreshë e Aleancës Franceze në Tetovë. 

Në këtë festë të pranishëm ishin edhe ambasadorja e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut Véronique Hulmann dhe kryetari i Komunës së Tearcës Nuhi Neziri.