Llopati i Kumanovës mbytet në premtime të vjetra dhe ujë fekal, ndërsa zgjedhjet po afrohen

Rregullimi i ujit të pijshëm dhe kanalizimit, si në shumë fshatra tjera edhe në fshatin Llopat të komunës së Kumanovës janë vetëm pjesë e premtimeve dhe zotimeve që marrin jehonë në fushatë zgjedhore, por jo edhe pas përfundimit të tyre. Sot, kur jemi vetëm dy muaj para zgjedhjeve lokale të radhës, banorët i ri-kujtojnë se çka harruan autoritetet komunale dhe kryetari i komunës Maksim Dimitrievski, në raport me investimet në fshat, shkruan Portalb.mk.

Banorët e fshatit ngrejnë alarmin se kanali kryesor fekal që vjen nga fshatrat tjera dhe kalon në fshatin Llopat ka probleme- është i bllokuar. Ata thonë se uji u kthehet nëpër shtëpi dhe kundërmon erë shumë e keqe.

“Ne kemi bërë kërkesa edhe gojore edhe me shkrim deri te komuna dhe ujësjellësi. Por, po hasim në vesh të shurdhër. Nuk ndërmarrin asnjë veprim për ta zgjidh problemin në fjalë. Nuk e di pse është ky ngurrim për të reaguar. Kjo e ndotë edhe Kumanovën, jo vetëm Llopatin. Nuk është në rregull kjo punë”, theksoi mes tjerash në prononcimin e tij për Portalb, Shukri Bekiri, nga fshati Llopat.  

Dokument i BL LLopat. Kërkesë deri te NP Ujësjellësi- Kumanovë
Dokument i BL LLopat. Kërkesë deri te NP Ujësjellësi- Kumanovë

Banorët për të njëjtin problem u janë drejtuar institucioneve kompetente disa herë. Portalb.mk siguroi kërkesën e parë të vitit 2017 dhe të fundit të këtij viti  nga ana e banorëve për problemin që po e trajtojmë.

Bashkësia Lokale e fshatit Llopat kërkon që të ndërmerren masa për t’u sanuar problemi me kanalizimin në fshatin Llopat. Problemi është shumëvjeçar dhe tashmë i padurueshëm për amvisëritë afër kanalit, por edhe për të gjithë banorët që ballafaqohen çdo ditë me ajrin e ndotur”, precizohet mes tjerash në kërkesën e fundit të banorëve drejtuar NP Ujësjellësi – Kumanovë.  

“Nuk merr përgjegjësi kryetari i komunës, as ujësjellësi. Thonë se nuk është i legalizuar. Ne kërkojmë ndihmë. Problemi është më shumë se 7 vite dhe nuk ndërmerr askush asgjë. Janë të njoftuar institucionet kompetente”, tha për Portalb.mk, Ametqani Sulejmani, banor i fshatit Llopat.  

Kanali i bllokuar në fshatin Llopat, Kumanovë. FOTO: Portalb.mk
Kanali i bllokuar në fshatin Llopat, Kumanovë. FOTO: Portalb.mk

“Uji është nevoja elementare në fshatin Llopat. Pjesa më e madhë e fshatit mbushin ujë në vende malore ose blejnë ujë. Kanalizimi jo i përfunduar në gjithë fshatin. Ka nevojë për investim për rregullimin e shtretërve të lumejve dhe një rrugë të re e cila lehtëson lëvizjen më të lirë të automjeteve”, tha për Portalb.mk, një banor tjetër i fshatit.   

Se çka ka ndërmarrë komuna e Kumanovës rreth situatës me kanalizimin për të cilën ankohen banorët dhe a ka plan që të zgjidhet problemi, deri në publikimin e tekstit nuk kemi marrë përgjigje nga komuna.

Portalb.mk ka kontaktuar dhe Ndërmarrjen e Ujësjellësit dhe Kanalizimit – Kumanovë, si përmes telefonit ashtu edhe përmes e-mailit zyrtar, por edhe pse kemi thirrë disa herë nga atje nuk ka përgjigje.   

Numrat e NP Ujësjellësi - Kumanovë
Edhe pse kemi thirrë disa herë, nga NP Ujësjellësi – Kumanovë nuk ka përgjigje

Ndryshe, premtimet e shumta për Llopatin dhe mosrealizimin e tyre i ka konfirmuar edhe këshilltari komunal Fitor Jakupi, kuadër i BDI-së.  

“Është e vërtetë se është premtuar shumë për Llopatin, por gjithëçka ka mbetur vetëm premtim. Gjendja faktike e përshkruan më së miri gjendjen. Edhe ato punime të cilët janë nisur nuk janë përfunduar, si zakonisht, pa ndonjë mbikëqyrje dhe me shumë probleme”, tha për Portalb.mk këshilltari Jakupi.  

Kryetari aktual i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, kuadër i ZNAM, jozyrtarisht pritet të kandidojë për mandatin e tretë si i pari i qytetit. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor 2025.