Kujtim Shabani: Në Maqedoni jemi të saktë në vonesë!

Kujtim Shabani ka një pasion të rrallë për letërsinë, së fundmi këtë lloj pasioni e ka kthyer në profesion pasi ka përkthyer ‘’101 poezi zvicerane’’ të cilat i ka bërë të thonë gati të njejtën gjë edhe në shqip. Themi kështu, pasi poezia, gjithnjë është më e vështira për përkthim, madje disa teoricientë përkthyesin e konsiderojnë si një lloj bashkautori. Promovimi i këtij libri që e solli autorin në Tetovë, u bë shkas i kësaj bisede për lexuesit e Portalb.mk, për ta parë pak a shumë dhe Zvicrën me sytë e tij dhe ta lexojmë edhe poezinë që e ka ndërmjetësuar ai.

Falë natyrës këmbëngulëse dhe serioze të autorit i cili edhe vet është poet përpos që shkruan dhe kolumna, kjo përmbledhje ka ardhur në variantin më të mirë të përzgjedhjes si të poezive, po ashtu edhe të fjalëve të cilat jo gjithmonë na binden. Në Tetovë, ky libër u promovua mes miqve më të mirë të letërsisë, njohësve të poezisë si edhe botueses Vjollcë Berishës nga Sh.B ‘’Syth’’.  Botuesi tjetër “b‘identitas’’ është shoqatë për shoqëri dhe kulturë nga Zvicra pjesë e së cilës është edhe Kujtimi.

Fotografi personale e autorit
Fotografi personale e autorit

Lidhur me mbrëmjen, botuesja Vjollcë Berisha theksoi:’’ Kujtimi është njohës dhe terjaqi i letërsisë, i cili rrugën kah kultura e ka bërë përmes librit, përmes leximeve pa fund. Në çdo rresht që shkruan feks kujdesi i tij prej filigrani për përzgjedhjen e fjalës dhe fuqisë figurative e tingullore të saj.

Letërsia jonë në raport me botën, roli dhe vështirësitë e përkthyesit si ndërmjetës kulturash. Mundësitë poetike të shqipes dhe shkathtësitë e vlerat e përkthyesit të këtij libri në veçanti, qenë orientimet tematike dhe ndalesat e këndshme në çështje të vockla e më të mëdha mbi letërsinë gjatë tërë mbrëmjes. Pjesa tjetër qe lexim poezish dhe shoqërim njerëzish të dashur.’’

Kujtim Shabani jeton mes Zvicrës dhe Tetovës së Maqedonisë. Në ardhjen e radhës mbase sjellë dhe një libër autorial me poezi pasi jo të gjithë e dinë se përpos çokolladave, Zvicra pa dyshim ka poezi shumë të mirë, ndryshe me çka mendoni se janë fisnikëruar?! Nëse s’bëjnë luftë, bëjnë poezi i bie, ose është poezia që ua ka lehtësur qenien nga ligësitë.

Ç’ka të veçantë poezia që kultivohet në Zvicër?

Kujtim Shabani: Përshtypjet e mia nga njohja sipërfaqësore e letërsisë zvicerane janë që kjo është një poezi shumë e pasur me tema dhe forma të shprehjes artistike. Veçanti e poezisë dhe letërsisë zvicerane është gjithësesi natyra e saj interkulturore. Jo vetëm për faktin e konstelacionit të vendit, i cili bartet nga katër entitete – gjermanofone, frankofone, italofone dhe retoromane. Pjesë e letërsisë zvicerane konsiderohet edhe krijimtaria e emigrantëve, të cilët shkruajn dhe botojnë në Zvicër. Në të njëjtën kohë, krijimtaria letrare në tri gjuhët e para çmohet edhe si pjesë e letërsive që krijohet në këto gjuhë në vendet fqinje të Zvicrës.

Çfarë autorë janë, të cilave periudha?

Kujtim Shabani: Në një aneks të librit „101 poezi zvicerane“, i cili besoj është shkaku i këtij bashkëbisedimi, kam sjellë një jetëshrim krejt panoramik të autorëve, të cilët parakalojnë në këtë përmbledhje me poezi. Aty do të shihni që kemi të bëjmë me autorë me formime dhe karriera tejet interesante profesionale dhe letrare. Të përfaqësuar në këtë përmbledhje me poezi janë e dhe dy nobelistët zviceranë të letërsisë, Carl Spitteler (1845-1924) dhe Hermann Hesse (1877-1962), me tri, përkatësisht një poezi. Më i vjetri më rezulton Johann Caspar Lavater (1741-1801), kurse më i riu – Pietro de Marchi, i lindur më 1968.

101 poezi zvicerane, kopertina e librit
101 poezi zvicerane, kopertina e librit

Cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha gjatë përkthimit?

Kujtim Shabani: Gjithçka ishte njëlloj e vështirë. Konsideroni që ky përkthim nuk është rezultat i një përvoje të madhe përkthimi, apo njohurish të thella të teorisë së përkthimit. Unë ia mësyva kësaj ndërmarrjeje si një lexues, nga dëshira për t’ia ofruar leximin tim shqip të këtyre poezive zvicerane opinionit shqiptar, për ta promovuar poezinë zvicerane si dhe pë të fituar simpatitë e zviceranëve për emigracionin shqiptar. Ky përkthim është rezultat i akademisë së netëve pagjumë me motorët e përqëndrimit të ndezur. Për t’u shprehur me gjuhën e konstitucionalistëve, jam munduar gjer në fund ta ruaj germën e origjinalit; ku nuk ka ecur kjo, atëherë frymën e tij.

A humbet poezia në përkthim, sipas jush?

Kujtim Shabani: Për mua origjinali është një! Përkthimet, sado të arrira të dalin, mund të jenë disa. Dëgjoj të flitet për përkthime që kanë dalë më mirë se origjinali. Këtë madje kanë guxuar ta thonë edhe për përkthimet e mia! Unë jam i kënaqur kur ia dal ta ruaj origjinalin. Mendoj se përkthimi nuk duhet të ketë për qëllim t’ia kalojë origjinalit. Nëse një përkthim ia kalon origjinalit, poezia nuk ka humbur, por është huqur qëllimi i përkthimit. Personalisht, deri tani më është dashur të bëj kompromise në përkthim dhe kam pengje…

Si duket jeta e një të riu në Zvicër?

Kujtim Shabani: Nuk mund t’ju raportoj nga përvoja. Pastaj jeta këtu është shumë dinamike. Vetë jam zhvendosur nga rinia, fëmijët e mi duan edhe ca deri aty. Vëzhgimet e mia më sugjerojnë një tablo të larmishme. Më duket sikur të përbashkët të gjithë i kanë shanset e mira për shkollë dhe për punë, për studim dhe karrierë. Fati i tyre, ku do ku janë, është konkurrenca e fortë, koha e lirë gjithnjë e më e shenjtë dhe një ofertë e madhe materiale dhe jomateriale gjithnjë e më e shtrenjtë.

Fotografi personale e autorit
Fotografi personale e autorit

Ç’ju frymëzon atje?

Kujtim Shabani: Më frymëzon ndërthurja perfekte e sigurisë dhe lirisë. Dora e njeriut ka punuar në Zvicër me të njëjtin kujdes si dora e Zotit. Natyra si arkitektura nuk të lënë indiferentë. Sharmi i Zvicrës është multietniciteti genuin i saj. Këtu ecin paralelisht katër shoqëri dhe kultura në një shoqëri dhe kulturë. Pastaj, Zvicra, bashkë me Luksemburgun, është vendi me përqindjen më të lartë të të huajve në Evropë. Këtu fliten mbi 100 gjuhë emigrantësh. Unë nuk vdes pas udhëtimeve nëpër botë, mbase edhe për këtë Zvicra më mjafton. Më frymëzon shumë oferta e librit, qarkullimi i tij, qasja kaq e lehtë… Janë gjithë ato librari dhe biblioteka konvencionale. Pastaj vijnë libraritë e dorës së dytë me libra të falur dhe të lirë si dhe libraritë falas në çdo cep, ku mund të lësh dhe të marrësh një libër…

Me se po merreni? 

Kujtim Shabani: Punoj si specialist i integrimit në kontekst të emigracionit në një zyrë regjionale për integrimin në kantonin Aargau. Jam përgjegjës për bisedat e para informuese me rishtarë në Zvicër, por edhe për këshillime lidhur me integrimin e emigrantëve më të vjetër si dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme për çështje të emigracionit. E mbuloj edhe komunikimin në zyrën e integrimit, në këtë kuadër i bëj jehonë punës së zyrës në mediet e ndryshme lokale. Kohë pas kohe jam prezent me artikuj publicistikë në medie në gjuhën shqipe në Zvicër dhe në Tetovë.

Kur do të vijë një libër autorial i juaji me poezi? 

Kujtim Shabani: Ka nisur, po si i thonë fjalës: Udha vade s’ka. Po e parafrazoj Lasgush Poradecin: Ta shkruash një poezi të mirë, duhet shumë kohë; ta shkruash një libër të mirë, nuk mjafton një jetë. Madje më duket se te përkthimi më çoi dëshira për të shkruar mirë. Kur një poezi e zgjedhur më del mirë në shqip, më duket sikur e kam shkruar pak edhe vetë. Poezia është një formë shumë e veçantë e shprehjes së një emocioni, një mendimi, një proteste, një admirimi… Po nuk shkruaj me orar, shkruaj me frymëzim, dhe ky është një vizitor i llastuar.

“Si sahat Zvicre” e ke dëgjuar para se ta shohësh këtë vend? Në çka nuk janë të saktë zvicranët?

Kujtim Shabani: Patjetër. Po le të shërbejë kjo kureshtja juaj si një rast të ftoj për ta lexuar përmbledhjen „101 poezi zvicerane“ të botuar nga shtëpia botuese „Syth“ në Tetovë (dhe shoqata „b’identitas“ në Zürich): Aty lexuesit i zbulohen në një ligjërim artistik shumë „sekrete“ të botës zvicerane. Aty mbase e gjen edhe një përgjigje të bukur në këtë pyetje.

Fotografi personale e autorit
Fotografi personale e autorit

Po ne në Maqedoni, në çka jemi të saktë?

Kujtim Shabani: Po bie vullnetarisht në kurthin e kësaj pyetje: Nganjëherë më bëhet sikur në Maqedoni jemi të saktë në vonesë! Po më duket se këtë që sapo e thashë nuk e kam gjetur unë. Sidoqoftë, s’ka shoqëri pa vlera dhe pa dështime. Për këto ndoshta mund të thotë diçka ai libri autorial me poezi…

Kur keni ikur atje? E mendoni kthimin?

Kujtim Shabani: Në Zvicër kam shkuar me 14 vjet. Këtu e mbarova vitin e tetë dhe të nëntë të fillores. Gjimnazin e ndoqa në Tetovë. Në Zvicër i vazhdova studimet, dhe që atëherë në Tetovë kam ardhur vetëm për pushime. Vendlindja merr në mua një vend që se zë një tjetër! Por edhe Vendrritja, a Vendpjekja lënë gjurmë që nuk i shlyen kush. Këto më kanë bërë qytetar të të dyja vendeve. E thash që Zvicra më mjafton, por nëse duhet të lëviz – atëherë në Vendlindje. E pakta për më gjatë se vetëm për pushime.