Kryengritja e mundshme e serbëve të Bosnjës

Presidenti i serbëve të Bosnjës Millorad Dodik në një fjalim të jashtëzakonshëm në Parlamentin e Republika Srpska ka kërcënuar hapur se do të shkëputet nga Federata e Bosnjës e Hercegovinës (BeH). Ai ka mohuar masakrën e Serbrenicës, ka kërkuar dëbimin e diplomatëve perëndimorë, e shumë kërcënime tjera që e bëjnë të ardhmen e BeH të paqartë. Nuk është hera e parë që lideri serb ka drejtuar kritika dhe kërcënime për të shpërbërë BeH. Në një intervistë për Associated Press-in (AP) në dhjetor të 2023-ës, Millorad Dodiku, ishte zotuar se do ta dobësonte shtetin boshnajk deri në atë pikë sa do ta copëtonte. Reagimet serbe erdhën pasi Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për BeH Kristian Shmitd paraqiti një paketë të re ligjore për të reformuar Kodin Zgjedhor.

Politikanët e Republika Srpska kanë deklaruar se janë të gatshëm të nxjerrin ligjin e tyre zgjedhor. Fjalimi i Dodikut në Parlamentin Kombëtar të Republika Srpska, sugjeronte që vendimet e Përfaqësuesi i Lartë Kristian Shmitd të anulohen brenda shtatë ditëve për të qetësuar situatën. Dodiku ka kërkuar që në seancën e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit serb të BeH, të miratohet Kodi Zgjedhor i BeH me të gjitha përmirësimet teknike, të cilat do të zbatohen menjëherë. Ai e ka quajtur KQZ-në si organizatë parashtetërore në shërbim të të huajve. Ai është zotuar se Parlamenti serb do të bëjë një deklaratë për konfirmimin e integritetit territorial të BeH dhe sistemit politik të parashikuar nga Kushtetuta, nëse në të njëjtën seancë, ambasadori amerikan Majkëll Murf, ambasadori britanik Xhulian Rell, Kristian Shmidt dhe ambasadori gjerman Tomas Fitshen duhet të shpallen armiq të BeH. Sipas Dodikut ambasadorët duhet të dëbohen nga BeH.

Një ditë pas fjalimit, Millorad Dodiku në një postim në rrjetin X, akuzoi lidershipin boshnjak për joseriozitet. “Në mesin e boshnjakëve, nuk ka asnjë lider serioz që është gati të heqë qafe nënshtrimin dhe përzierjen e të huajve…” “Ky është thelbi i të gjitha problemeve në funksionimin e BeH. Boshnjakët duhet të kuptojnë se e vetmja mënyrë që BeH mund të përparojë është përmes dialogut me serbët dhe kroatët. Gjithçka tjetër është një krizë e përhershme për BeH, nga e cila nuk ka rrugëdalje”. “Republika Srpska e di rrugën e saj. Ne jemi të gatshëm të ruajmë Dejtonin, Kushtetutën e BeH-së, por nuk kemi pse. Pavarësia e Republika Srpska po bëhet gjithnjë e më e mundshme, sepse myslimanët e përmbysën BeH e Dejtonit, dhe u larguan nga kuadri kushtetues”. “Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë”- ka shkruar Millorad Dodik në X. Siç dihet ambasadorët e huaj nuk do të largohen, dhe nuk do të jetë lehtë që Përfaqësuesi i Lartë Kristian Shmitd të ndryshojë paketën e propozuar ligjore.

Veprimet e Dodikut nuk janë për tu habitur, pasi janë në përputhje me planet e fundit të Serbisë, dhe Kishës Ortodokse Serbe për unifikimin e qëndrimeve rreth “sfidave të popullit serb”. Sipas Dodikut nëse kjo nuk ndodh, (largimi i diplomatëve të huaj dhe ndryshmet në Kodin Zgjedhorë), Serbia do të insistojë që në Asamblenë e Pashkëve të bëhet një deklaratë ku do të njoftohet se boshnjakët kanë shkelur Marrëveshjen e Dejtonit (1995), dhe se Serbia nuk mund të qëndrojë më pas saj”. Që më ardhjen e Millorad Dodikut në pushtet në vitin 2010, e ardhmja e BeH ëshë vënë në pikëpyetje. Dodiku disa herë ka vizituar Moskën, ku së fundi në shkurt të këtij viti nga presidenti rus Vlladimir Putin, u dekorua me medalje të lartë. Zyrtatë të lartë rus dhe të Srpska Republika, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare ndaj Kremlinit, kanë vazhduar hapur bashkëpunimin.

Republika Srpska dhe Federata Ruse kanë marrëdhënie të ngushta. Serbët që nga viti 1991 kanë gëzuar një mbështeteje të madhe nga Rusia. Së fundi, qeveria e Republika Srpska ka nënshkruar një marrëveshje me Gazprom-in për të furnizuar me gaz serbët deri në vitin 2025. Ndërkohë, Sarajeva zyrtare kohë më parë drejtoi disa akuza ndaj liderit serb Dodik i cili kishte lejuar trajnimin e paramilitarëve rusë në Republika Srpska. Padyshim se fjalimi i Dodikut ka rritur shqetësimet në BE dhe SHBA se BeH mund të shpërbëhet. Në veçanti, armiqtë e huaj të Federatës Boshnjake si Serbia dhe Rusia me aktorë të tjerë joshtetërorë janë përfshirë qysh më herët në veprime subversive për të minuar paqen dhe sigurinë. Veprimet e fundit të Dodikut mund të nxisin ngjarje të papritura mes serbëve boshnjakë, myslimanëve boshnjakë dhe kroatëve.

Fatkeqësisht, përveç sanksioneve që kanë pak efekt, komuniteti ndërkombëtar nuk ka asnjë mjet tjetër për të lehtësuar situatën. Ndërsa ndarja po bëhet e pashmangshme, fërkimet mund të çojnë në konflikte të izoluara duke u bërë një tjetër pikë e nxehtë në Evropë, veçanërisht në Ballkan. Në kontekstin e kërcënimeve dhe propagandës për luftë që po bëhet nga disa aktorë politikë që momentalisht janë në fazën e zgjedhjeve, dhe kanë shfrytëzuar (keqpërdorin) probabilitetin e implikimeve dhe potencialit rus për ngritjen e konflikteve në rajonin e Ballkanit, kërcënimi që elita politike serbe dhe serbët paraqesin për Federatën e BeH është real. Gjendja në BeH nuk duhet vendosur në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale (të ndikimit rus) në disa shtete të rajonit të Ballkanit. Duhet t’i vlerësojmë me kujdes zhvillimet në BeH, si një rast më vete dhe natyrisht në një vështrim më të gjerë bashkë me çështjet tjera ballkanike. SHBA dhe Britania e Madhe kanë vënë në listë të sanksioneve disa përfaqësues të lartë serbë, duke përfshirë Dodikun, por pa rezultate konkrete në politikëbërjen e BeH.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.