Krerët e shtetit dhe politikanët në RMV e uruan Trumpin për fitoren e zgjedhjeve presidenciale

Krerët e shtetit dhe politikanët në Maqedoninë e Veriut kanë uruar republikanin Donald Trump i cili shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale kundër demokrates Kamala Harris, raporton Portalb.mk.

Urime të përzemërta ndaj Trumpit dërgoi edhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova.

“Jam e bindur se në periudhën e ardhshme partneriteti ynë strategjik do të përmirësohet dhe pasurohet dhe se SHBA-të do të ndihmojnë në përmbushjen e qëllimeve strategjike të maqedonase”, tha Siljanovska.

Kryeparlamentari Afrim Gashi duke uruar Trumpin tha se ky moment i rëndësishëm pasqyron forcën e demokracisë amerikane.

“Duke i uruar suksese në udhëheqjen e vendit dhe në realizimin e agjendës së tij për të ardhmen, shprehim gatishmërinë tonë të plotë për të thelluar bashkëpunimin me administratën e re amerikane, për të përforcuar partneritetin tonë strategjik”, tha Gashi.

Kryeministri Hristijan Mickoski uroi Trumpin në emrin e tij dhe dhe në emër të qytetarëve të vendit.

“Kjo fitore është një konfirmim i besimit të thellë të popullit amerikan në parimet e lirisë dhe demokracisë. Ne shpresojmë që të thellojmë më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformës demokratike”, tha Mickoski.

Urime dërgoi edhe kreu i opozitës maqedonase Venko Filipçe, ai uroi trumpin në emër të tij dhe të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut.

“Jam i bindur se nën udhëheqjen e tij partneriteti strategjik mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë dhe thellohet”, tha Filipçe.

Kreu i opozitës shqiptare në RMV, Ali Ahmeti tha se votuesit amerikan u përcaktuan për një rikthim mbresëlënës të Presidentit Tramp në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

“Uroj popullin amerikan dhe Presidentin Tramp për zgjedhjen e tij të sotme dhe ndaj bindjen që përqëndrimi amerikan në Ballkan do të vazhdojë të jetë i fortë si gjithmonë për ti zgjidhur përfundimisht çështjet e hapura midis vendeve të Europës juglindore”, tha Ahmeti.

Urime në adresë të Trumpit kanë dërguar edhe funksionarë të lartë shtetërorë si dhe politikanë të ndryshëm.

Për fitoren e Trumpit kanë reaguar edhe liderët dhe politikanët nga rajoni dhe më gjerë.

Ndryshe, fitorja e Trumpit nuk është konfirmuar zyrtarisht ende.

Trump ka qenë edhe më parë si president i SHBA-ve në periudhën 2017-2021.