Kredi e re 100 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të përballuar krizën

100 milionë euro të reja nga Banka Evropiane për Investime ka siguruar Qeveria, ndërsa paratë janë të dedikuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të mund të tejkalojnë problemet që dalin nga kriza energjetike dhe ekonomike. Kështu bëri të ditur Ministria e Financave, transmeton Porrtalb.mk.

Dje, kuvendi miratoi zgjidhjen ligjore të përpiluar nga Ministria e Financave për garancinë lidhur me Marrëveshjen e huasë së këtyre mjeteve.

“Me anë të këtyre mjeteve, i ndihmohet komunitetit të biznesit, me qëllim të sigurimit të kapitalit të ri për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për ndërmarrjet me kapital të mesëm dhe projektet e tranzicionit të gjelbër, sipas masave ekonomike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen e konsumatorëve dhe kompanive nga kriza energjetike”, tha ministri i Financave – Fatmir Besimi.

Ai theksoi se kjo ka rëndësi të madhe për tejkalimin e problemeve që rezultojnë nga kriza botërore energjetike dhe ekonomike, që në mënyrë direkte ndikon mbi punën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe se këto para nënkuptojnë përkrahje për projekte të reja, punësime të reja, rritje të likuiditetit të ekonomisë, rritje të eksportit, tranzicion të gjelbër, si dhe ruajtje të pozitës konkurruese të kompanive.

Linja kreditore do të plasohet përmes Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, ndërsa për shfrytëzuesit e fundit mjetet do të jenë të disponueshme përmes bankave afariste me normë të favorshme interesi dhe me afate më të gjata pagese. Kompanitë do të mund t’i shfrytëzojnë ato si mjete qarkulluese dhe për investimet, ndërsa qëllimi është të sigurojnë kapital të ri dhe përkrahje likuiditeti.

Ndryshe, kjo është linja e shtatë kreditore që BEI ka realizuar përmes Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut.