Kovaçevski me rastin e 30 vjetorit të anëtarësimit në OKB: Arritëm model të demokracisë funksionale

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së punës në SHBA, ka marrë pjesë në panelin e organizuar me rastin e 30 vjetorit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara, njoftoi shërbimi për shtyp i qeverisë, transmeton Portalb.mk.

Diskutimi u mbajt në selinë e OKB-së në Nju Jork, ku folën edhe Ljubomir Frçkovski, përfaqësues i përhershëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në OKB, Matthew Nimitz, diplomati amerikan dhe i dërguari i posaçëm i OKB-së për kontestin e emrit, John Bagot, kolonel në pension, komandant i batalionit amerikan në UNPREDEP, Miroslav Jenca, ndihmës sekretar i përgjithshëm për çështje politike të OKB-së dhe Denko Maleski, ministri i parë i punëve të jashtme të vendit tonë.

Kryeministri Kovaçevski foli për temën e diplomacisë parandaluese, ndërmjetësimit dhe politikës së miqësisë së Maqedonisë së Veriut nga fillimi i viteve 1990 e deri më tani.

“Dëshiroj të nënvizoj se pranimi në OKB, 30 vjet më parë, paraqet një ngjarje të veçantë në historinë e popullit maqedonas dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut – shqiptarë, turq, serb, vlleh, boshnjak, rom dhe të tjerë me me të cilët ne ndajmë këtë vend të mrekullueshëm. Është përmbushje e ëndrrës së gjeneratave – të jetosh në një shtet të lirë, sovran dhe të pavarur, të ankoruar fort në familjen botërore të kombeve”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai shtoi se ndryshe nga republikat e tjera në ish-Jugosllavi, vendi ia doli të arrijë pavarësinë në mënyrë paqësore, e cila sigurisht mund të konsiderohet si një lloj recete origjinale maqedonase për paqe.

“Përbërësit kryesorë të kësaj recete për paqen ishin shumë të thjeshtë; disa prej tyre janë pjesë e titullit të këtij paneli: diplomacia, e përgjithshme por edhe parandaluese, ndërmjetësimi dhe fqinjësia e mirë. Shtojini kësaj edhe mençurinë politike, tolerancën, kulturën e dialogut dhe vullnetin për kompromis, dhe këtu është historia e suksesshme maqedonase”, tha Kovaçevski.

Kryeministri tha se me anëtarësimin në OKB më 8 prill 1993, në OKB u krijua një precedent, ku Organizata pranoi një shtet anëtar që u pranua me një referencë të përkohshme që u përdor më pas për shtetin për 27 vitet e ardhshme.

Nën kujdesin e OKB-së dhe me emërimin e dy ndërmjetësve të Sekretarit të Përgjithshëm, Cyrus Vance dhe Matthew Nimitz, filluan bisedimet midis Greqisë dhe vendit tonë për ndryshimin e emrit dhe u përmbyllën më në fund me ndërmjetësim, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës në qershor 2018, tha Kovaçevski.

“Për ne ishte kompromis i vështirë dhe i dhimbshëm. Megjithatë, duke vepruar kështu, vendi ynë dëshmoi se përmes përdorimit të diplomacisë dhe dialogut, mirëkuptimit dhe tolerancës, si dhe përmes kompromisit, mund të zgjidhen edhe çështjet më të vështira, duke hapur perspektiva të reja për miqësi dhe bashkëpunim”, shtoi ai.

Në fjalën e tij, kryeministri përmendi liderët e vendit, nga Kiro Gligorov, presidentit Trajkovski dhe Zoran Zaev, dhe kontributin e tyre në këtë drejtim.