Kontraspin: Është e sigurtë që me spinime nuk do të lindin më shumë fëmijë
Rreth temës së natalitetit, fertilitetit, mortalitetit…, që u zhvillua pas konferencës së posaçme në Qeveri të premten (04.07), pati spine nga shumë anë, përfshirë edhe partitë kryesore në pushtet dhe opozitë, VMRO-DPMNE dhe LSDM. Ndërsa spini kryesor te VMRO-DPMNE qëndron në përpjekjen e kryeministrit Mickoski për të thënë se është keqkuptuar kur është folur për taksa shtesë për beqarët dhe beqaret, spini i LSDM-së qëndron në faktin se për tendencat negative fajëson vetëm VMRO-DPMNE-në, duke e përjashtuar veten, shkruan Vëretmatësi.
Rreth temës së natalitetit, fertilitetit dhe mortalitetit, që u zhvillua pas konferencës së posaçme në Qeveri të premten (04.07), pati spine nga disa anë, përfshirë edhe partitë kryesore në pushtet dhe në opozitë, VMRO-DPMNE dhe LSDM.
Spini nga VMRO-DPMNE mund të shihet në përpjekjen e kryeministrit Hristijan Mickoski për të thënë se ndoshta është keqkuptuar kur tha se ekzistojnë mendime serioze për vendosjen e taksave shtesë për burrat dhe gratë që nuk janë të martuar.
Sigurisht që nuk do të ketë një taksë të tillë. Unë u kërkoj ndjesë atyre që ndoshta e kanë keqinterpretuar këtë iniciativë timen. Por, fakt është që unë jam jashtëzakonisht i shqetësuar për gjendjen demografike në Maqedoni. Dhe fakt është që, si kryeministër, është përgjegjësia ime të jem i shqetësuar për të ardhmen demografike të atdheut tim…
[Burimi: VMRO-DPMNE dhe Time.mk – Mickoski/deklarata- 06.07.2025]
Spini te LSDM qëndron në faktin se partia po përpiqet që për trendet negative lidhur me lindshmërinë dhe plakjen e kombit t’ia hedhë fajin partisë në pushtet.
Të rinjtë nuk po ikin sepse nuk duan të krijojnë familje, por sepse nuk munden ta përballojnë atë. Kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave të dështuara dhe tipike të djathta të kësaj qeverie. Standardi i jetesës është ulur me 20%, pasurohet vetëm elita përreth Mickoskit, ndërsa qytetarët e tjerë nuk kanë asnjë përfitim nga politikat qeveritare.
[Burimi: LSDM/web – Njoftim – data: 06.07.2025]
Kundërspin: Kryeministri Hristijan Mickoski, të premten më 04.07.2025, mbajti një fjalim në një ngjarje të organizuar nga Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, e cila, në bashkëpunim me faktorë ndërkombëtarë, ka filluar hartimin e një strategjie për zhvillim dhe qëndrueshmëri demografike.
Duke folur për situatën aktuale, qëndrimet e tij si kryeministër dhe qëllimet për politikat e ardhshme qeveritare, Mickoski në një pjesë të fjalimit deklaroi:
E dimë që nuk ka zgjidhje magjike. Por ka luftë të qëllimshme, të vazhdueshme dhe shtetformuese. Dhe ne e kemi filluar atë. Çdo masë, çdo investim, çdo politikë që ndërmarrim – ka për qëllim të rikthejë besimin. Dhe në këtë drejtim, po shqyrtojmë seriozisht vendosjen e taksave shtesë për burrat dhe gratë që nuk janë të martuar.
Dy ditë më vonë, në dy raste të ndryshme, ai përsëriti se kërkon ndjesë nëse iniciativa e tij është keqinterpretuar, se qëllimi ishte të hapej një debat rreth një problemi që realisht ekziston dhe se qeveria mbetet e përkushtuar të punojë për zbutjen e këtyre trendeve përmes një sërë masash të kombinuara, por se nuk do të ketë taksa shtesë për burrat dhe gratë që nuk janë të martuar. Këtë, Mickoski e deklaroi si përgjigje ndaj një pyetjeje të një gazetari para selisë së VMRO-DPMNE-së në një konferencë për shtyp të organizuar për një çështje tjetër dhe po atë mbrëmje, gjatë një interviste në televizionin Sitel (intervista e plotë).
Nuk ka dyshim se pretendimi se “ndoshta është keqkuptuar” është një shtrembërim i të vërtetës, pra një spin. Duke ndjekur fjalinë dhe kontekstin e asaj që u tha të premten (“po shqyrtojmë seriozisht vendosjen e taksave shtesë…”), konstatohet se ajo është e qartë dhe e pa mëdyshje, dhe se ekzistojnë vetëm dy mundësi: ose kryeministri dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij kanë menduar në këtë mënyrë, por pas reagimeve të së premtes dhe së shtunës kanë ndryshuar mendje, ose fjalia është formuluar gabimisht në fjalimin e tij, ndërkohë që në realitet bëhet fjalë për një sërë masash të kombinuara – të cilat ai i shpjegoi më vonë edhe në intervistën televizive – që përfshijnë lehtësime fiskale, dhe jo taksa shtesë.
LSDM e përjashton veten nga çdo përgjegjësi
Edhe në deklaratën LSDM-së të publikuar të dielën (06.07) me titullin: “Demografia nuk përmirësohet me fushata, por me standard jetese cilësor dhe perspektivë të qartë për të rinjtë”, mund të vërehet spinim.
Përveç thelbit të titullit, që në përgjithësi është i saktë dhe i vërtetë, partia opozitare gjatë gjithë komunikatës ia hedh fajin VMRO-DPMNE-së për të gjitha trendet negative demografike — si largimi i njerëzve, ulja e lindjeve, rritja e vdekshmërisë — sikur këto probleme të kishin nisur vetëm vitin e fundit, që nga ardhja e VMRO-DPMNE-së në pushtet.
Kjo është e dukshme edhe në frazat si:
“Në vend që të krijojë kushte që të rinjtë të qëndrojnë dhe të krijojnë familje, Mickoski i detyron të largohen nga vendi duke e rritur varfërinë dhe pabarazinë.”
“Sot, i riu në Maqedoni është pa perspektivë. Standardi i jetesës është shkatërruar.”
“Të rinjtë nuk ikin sepse nuk duan familje, por sepse nuk kanë mundësi ta përballojnë atë.”
Përfundimi bëhet me fjalitë:
Kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave të dështuara dhe tipike të djathta të kësaj qeverie. Nëse me të vërtetë donte që fëmijët të lindnin në Maqedoni, do të kujdesej së pari që prindërit e tyre të ndihen të sigurt dhe të shohin të ardhmen e tyre këtu.
Nëse shikohen të dhënat statistikore, si në vend ashtu edhe në botë, është plotësisht e qartë se bëhet fjalë për një proces afatgjatë, dhe jo për një trend momental. Në këtë proces afatgjatë, që mund të vërehet të paktën gjatë tridhjetë viteve të fundit, LSDM ka qenë parti në pushtet drejtpërdrejt për rreth 15 vjet, kështu që pretendimi nga komunikata e tyre e djeshme mund të vlerësohet si spin, pasi trendi nuk është momental, dhe ata si parti mbajnë përgjegjësi për shifrat negative dhe për faktin që nuk kanë bërë më shumë.