Kontestohen para Gjykatës Kushtetuese dispozitat ligjore që ju mundësojnë operatorëve kur të duan t’ua ndryshojnë shërbimet e qytetarëve për t’i faturuar ata me fatura më të larta

Dispozitat ligjore dhe nënligjore që janë të shkruara me shkronja të vogla në kontratat që qytetarët i lidhin me operatorët e telekomunikacionit, e që u lejojnë atyre të anulojnë në mënyrë arbitrare paketat e dakorduara dhe të vendosin tarifa më të shtrenjta, janë kontestuar para Gjykatës Kushtetuese, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Iniciativa është e avokates Aleksandra IlievaMillçova nga Shkupi, së cilës një nga operatorët i ka vendosur shërbimin e telefonit fiks para përfundimit të kontratës dyvjeçare (shërbim që nuk e ka kërkuar), për t’i faturuar asaj fatura më të larta.

Ilieva-Millçova vitin që shkoi e fitoi kontestin para Agjencisë për Komunikime Elektronike, por deri më sot, siç thotë ajo, operatori nuk ia ka kthyer pakon e vjetër për të cilën kishte lidhur kontratë. Ajo thotë se për këtë arsye ka kaluar tek një operator tjetër, por në kontratën me këtë kompani qëndron e njëjta dispozitë, që operatori kur të dojë të mund të bëjë ndryshime në paketën e shërbimeve për të cilën është lidhur kontrata.

Për shkak të këtyre keqpërdorimeve përmes pozitës monopole të operatorëve, IlievaMillçova i kontestoi dispozitat ligjore dhe nenet e Rregullores që u mundësojnë kompanive pa pyetur dhe pa pëlqimin e abonentëve t’i rrjepin ato përmes faturave dhe të realizojnë fitime edhe më të mëdha.

“Iniciativa që kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese në shkurt është në kundërshtim me Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe Rregulloren që lejojnë që kontratat me parapagesë që të gjithë ne i nënshkruajmë të përmbajnë një dispozitë sipas së cilës operatori mund të ndryshojë kushtet në çdo kohë. Abonentët nuk e dinë këtë dhe mendojnë se nënshkruajnë një abonim fiks, por në fakt ai mund të ndryshohet në çdo kohë. Një abuzim i këtillë u bë verën e kaluar nga një prej kompanive më të mëdha të telefonisë. Ata më rritën shumën e parapagesës. AKE i pranoi dy herë kontestimet e mia, por kompania nuk ka vepruar sipas vendimeve dhe nuk më ka kthyer tarifën e mëparshme. AKE nuk e ndëshkoi kompaninë dhe në fund, për shkak të një oferte më të mirë, më në fund u transferova tek një kompani tjetër. Por edhe atje qëndron po e njëjta dispozitë dhe edhe ata mund ta bëjnë të njëjtën gjë dhe t’i rrisin çmimet në çdo moment, me arsyetimin se kanë anuluar një paketë, se tani ajo nuk ekziston me dhe duhet të kalohet në një më të shtrenjtë”, thotë dorëzuesja e iniciativës, e cila është me propozim për një masë të përkohshme.

Agjencia për Komunikime Elektronike dy herë i ka pranuar kontestimet e avokates, por kompania nuk ka vepruar sipas vendimeve dhe nuk e ka kthyer tarifën e vjetër. (Foto: SDK.MK)
Agjencia për Komunikime Elektronike dy herë i ka pranuar kontestimet e avokates, por kompania nuk ka vepruar sipas vendimeve dhe nuk e ka kthyer tarifën e vjetër. (Foto: SDK.MK)

Me nenin e kontestuar 107, paragrafi 2, qytetarët vihen në pozitë të pabarabartë para operatorëve, të cilët kanë pozitë monopole në treg.

“Edhe pse abonenti lidh një kontratë ku paguan dhe në këmbim merr shërbime sipas çmimeve të përcaktuara në kontratë, këto kushte dhe çmime mund të ndryshojnë në çdo kohë dhe pa dijeninë e abonentit dhe atij mund t’i vendosen shërbime të reja me çmime të reja. çmimet, sipas marrëveshjes me afat të caktuar kohor, ndërsa mosdeklarimi i tij pas një njoftimi të tillë nënkupton pranim të kushteve. Kjo është e shkruar në Rregullore”, thotë Ilieva-Millçova në iniciativë dhe paralajmëron se është e hapur mundësia për vepër penale Mashtrim nga ana e kompanive telefonike, d.m.th. operatorët e internetit.

Ajo gjithashtu ka kontestuar edhe nenin e Rregullores i cili operatorëve u mundëson të fitojnë para nga sulmet e hakerëve ndaj numrave të telefonit. Është paraparë që operatori të mos e njoftojë abonentin nëse shuma nuk tejkalon 1.000 denarë. Me ato sulme, thotë Ilieva-Millçova,  rriten faturat e operatorëve. Ajo kërkon që abonenti i hakuar të njoftohet menjëherë, e jo pas dëmeve mbi 1000 denarë.

Nga Gjykata Kushtetuese u përgjigjen se për këtë iniciativë është ngritur lëndë dhe po vazhdon puna.