Komuna e Tetovës mbeti pa kryetar këshilli, Durmishi u bë ministër

Komuna e Tetovës aktualisht është pa kryetar të Këshillit Komunal pasi kryetari i deritanishëm Besar Durmishi, nga Kuvendi i RMV-së u zgjodh ministër i Ekonomisë dhe Punës, shkruan Portalb.mk.

Durmishi dje (24 qershor) mori detyrën e re dhe u ul në karrigen e ministrit të Ekonomisë dhe Punës.

Këshilli i Komunës së Tetovës, në mbledhjen e radhës duhet të zgjedh kryetarin e ri i cili do të zëvendësojë Durmishin.

Megjithatë pas verifikimit në ueb-faqen e Komunës së Tetovës, seanca nuk është caktuar ende.

Në lidhe me këtë pyetëm në Komunën e Tetovës, por nga atje nuk përgjigjën deri në publikimin e këtij teksti.

Në ndërkohë, këshilltari që pritet të zëvendësojë Durmishin sipas listës së kandidatëve për këshilltarë është Sulejman Fejzullahi.

Kujtojmë që, Durmishi brenda një viti u zgjodh dy herë kryetar i këshillit. Njëherë pas zgjedhjeve të rregullta lokale në tetor 2021. Ndërsa së dyti në gusht 2022 pasi Tetova shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme për këshillin komunal për shkak se i njëjti nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor, sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Përndryshe, Këshilli Komunal në Tetovë ka 31 anëtarë. Në përbërjen aktuale Lëvizja Besa – 12, BDI – 11, VMRO-DPMNE – 4, LSDM – 2, PDSH – 1 dhe Alternativa – 1. Aleanca për Shqiptarët nuk ka asnjë këshilltar.