Komuna e Tetovës, gjendja me (mos) arkëtimin e tatimeve dhe taksave, nga viti 2016 e këndej

Në vazhdimësi, që nga viti 2014, llogaria e komunës është bllokuar. Komuna e Tetovës është njëra ndër më me shumë borxhe në vend, me miliona detyrime të papaguara në baza të ndryshme. Revizorët konstatojnë se në fund të gushtit 2022 llogaria ishte bllokuar për një borxh total prej 6 365 000 euro. Krahas buxhetit komunal, raporti i ri i revizionit i referohet arkëtimit të tatimeve, taksave, menaxhimit të parkingjeve publike, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

8,1 milionë euro – taksa komunale të papaguara për parkingjet..

Komuna e Tetovës në vitin 2016 ka lidhur kontrata me 4 kompani për menaxhimin e parkingjeve publike për një periudhë 10 vjeçare. Nga të gjitha kompanitë, vetëm një e paguante rregullisht taksën komunale për shfrytëzimin e hapësirës dhe njëra në përgjithësi nuk ishte as e detyruar të paguante edhe pse kishte në dispozicion një vend parkimi publik.

“3 organizatorët e tjerë të parkimit nuk paguajnë fare taksë në llogarinë e pagesës së komunës, nga të cilët njëri prej organizatorëve që nga lidhja e kontratës në vitin 2016, nuk është i detyruar të paguajë fare taksë komunale dhe organizatori i cili nuk është përgjegjës për pagesën e kësaj takse deri në vitin 2019, edhe pse kontrata është lidhur në vitin 2016”, deklarojnë revizorët dhe theksojnë se pavarësisht kësaj situate, komuna nuk i ka zgjidhur kontratat dhe as nuk i ka hequr lejet kompanive që menaxhonin parkingun publik.

Revizorët zbuluan se ato shuma që paguheshin në emër të “taksës komunale për parkingje” derdheshin në llogarinë e komunës një herë në vit dhe jo në baza ditore. Shuma totale e taksës komunale të papaguar për parking është 8.100.000 euro, ndërsa në vitin 2021 të hyrat totale të komunës në bazë të mbledhjes së taksës komunale për parkingje ishin 6.3 milionë euro.

NP Komunale “Parkingu i Qytetit – Tetovë”, e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e hapësirës publike të parkimit, ka pasur obligim që ta paguajë taksën e mbledhur komunale në llogarinë komunale, por përkundër këtij obligimi, deri në momentin e kryerjes së revizionit, mbi këtë bazë nuk ishte paguar asnjë tarifë komunale, e cila për vitin 2020 ishte 34.570 euro dhe për vitin 2021 ishte 52.300 euro.

“Kryetari duhet të marrë masa: arkëtim të detyruar të taksës së papaguar të shërbimeve në bazë të shfrytëzimit të parkingut dhe zgjidhje të njëanshme të kontratave me personat juridikë që nuk paguajnë taksën për shfrytëzimin e parkingjeve”

Arkëtimi i taksave, tatimeve…

Në bazë të tatimit në pronë, tatimit në qarkullim dhe tatimit në trashëgimi, komuna në vitin 2021 arkëtoi gati 2 milionë euro. Në anën tjetër, vetëm në bazë të tatimit në pronë, komuna ka pretendime në vlerë prej 4 milionë euro.

Tatime të papaguara nga Komuna e Tetovës për vitin 2021, infografik nga Portalb.mk
Tatime të papaguara nga Komuna e Tetovës për vitin 2021, infografik nga Portalb.mk

Gjatë arkëtimit të tatimit në pronë dhe taksave të tjera, revizorët vërejnë veprime që janë kundër ligjit:

  • Nuk ka pasur përditësim të vlerës së tregut të të gjitha pasurive të paluajtshme në territorin e komunës
  • Normat e tatimit mbi shitjet dhe trashëgiminë dhe dhuratat nuk janë përcaktuar. Me rastin e llogaritjes aplikohen normat sipas Ligjit për Tatimet (gjatë revizionit është marrë vendim për përcaktimin e normave)
  • Në nëntor 2021, u dërguan vërejtje për borxhin e papaguar bazuar në tatimin në pronë dhe tatimin mbi shitjen e pasurive të paluajtshme dhe nuk u vazhduan masat e arkëtimit të detyruar.

Pa vendim të Këshillit Komunal në fund të vitit 2018, Komuna e Tetovës ka shlyer kërkesat në bazë të tatimit në pronë në vlerë prej gati 560.000 euro dhe shlyerje të kërkesave në bazë të taksës komunale për një kompani deri më dt. 2015 në shumën 226.000 euro. Në vitin 2022 është marrë Vendimi për përditësimin dhe harmonizimin e kërkesave dhe obligimeve të Komunës së Tetovës, me të cilin është bërë shlyerja e kërkesave nga viti 2005 deri në vitin 2020 në vlerë prej 173.600 euro, si dhe përditësimi i abonimeve në shumën prej 43.000 euro.

Kryetarja e atëhershme Teuta Arifi u ka dërguar auditorëve përgjigje-arsyetim vetëm për katër pozita. Në lidhje me gjendjen e llogarisë së bllokuar:

“Të dhënat e dërguara për bllokimin e llogarisë dhe vendimet gjyqësore për limitin e funksionimit të komunës duhet të vihen në korrelacion me pjesën tjetër të çështjeve buxhetore”.