Kjo është aktorja e njohur Elhame Bilalli, me dashurinë e saj të madhe për skenën (FOTO)

Aktorja Elhame Bilalli është kudo ku hapen perdet e teatrit, duke pritur tu duartrokas kolegëve, shfaqjeve, punëve të bukura. Kur sheh fotografitë e saj nga loja skenike të duket si yll botëror me bukurinë, sharmin, veshjen, flokët, por jo, pati fatin Teatri i Shkupit ta ketë yllin e vet. Së fundmi, ishte pjesë e grave intelektuale që iu bashkuan ‘’Fem- Festit’’ në Tiranë me profilin e saj të veçantë. Në këtë shkrim ju sjellim ekskluzivisht, për herë të parë fotografi nga albumi profesional i aktores që dëshiron t’i ndajë me lexuesit e Portalb.mk.

Elhame Bilalli- Fotografi nga albumi personal profesional
Elhame Bilalli- Fotografi nga albumi personal profesional

Po shkoja të intervistoja Refet Abazin në Teatrin Shqiptar të Shkupit, në dalje takoj aktoren Elhame Bilalli. Kishte dërguar (ushqimin tradicional që e quajmë fli) drekë për aktorët e teatrit të “Daja Vanjës“. Është gëzim i madh për të sa herë dëgjon se në teatër po punohet diçka.

Elhame Bilalli ka luajtur gjithë jetën në skenën e teatrit dhe sërish e sërish është e palodhur dhe s’ngopet me prova, premiera nga qyteti në qytet, ndër vizitoret më të rregullta të teatrit, pasi teatrin e ka dashuri. A lodhet njeriu duke i shkuar pas pasionit aq lodhet dhe teta Eli.

Elhame Bilalli- Fotografi nga albumi personal profesional
Elhame Bilalli- Fotografi nga albumi personal profesional

Me buzëqeshjen e ngrohtë, zërin e ëmbël dhe urtësinë që e karakterizon ka kulturë edhe në mënyrën si të dëgjon e fjalët që t’i thotë. Erdhi nga Mitrovica në Shkup për tu bërë mësuese, por përvidhej nga ligjëratat për të luajtur role në teatër në mungesë të femrave. Kemi dëgjuar shumë në jetë për njerëz që zgjedhin profesionin por ja një rast kur profesioni zgjedh personin, aktrimi, skena e zgjodhi Teta Elin që ta ketë në kujtesën e vet, aty të përkas përjetësisht.

Aty ka njohur dashurinë për jetën, për profesionin dhe për njeriun që do të bënin NJË bashkë, aktorin e ndjerë Salaetin Bilall.

Elhame Bilalli- Fotografi nga albumi personal profesional
Elhame Bilalli- Fotografi nga albumi personal profesional

Karrierën e saj profesionale e filloi me rolin e Ajalës në shfaqjen “Certifikata e kurorëzimit” nga Efraim Kishon, me regjinë e Mirko Stefanovskit. Në karrierën e saj ka realizuar mbi 120 role në teatër, shumica e të cilave janë role kryesore. Ndër rolet e shumta veçojmë: Florenca në shfaqjen “Kurthi për njeriun e pafajshëm” nga Robert Thomas me regji të Kemal Lilës, Pjetra në “Armiku i popullit” nga Ibseni në regji të Muharrem Qenës, Tatjana në “Mikroborgjezët” nga Maksim Gorki, Elena Andreevna në “Daja Vanja” nga Çehovi,  Ana në “Poema” nga Oskar Daviço, Gruaja e Kerlit në “Njerëzit dhe minjtë” nga Xhon Stajnbek,  Greta – stujardesa gjermane në “Boing-boing” nga Mark Kamoleti, Gertruda në “Hamleti” nga Shekspiri, Venus në “Po çka tash Kreon” nga Myrteza Peza, Ditka në “Karnavalet e Korçës” në regji të Kujtim Spahivoglit, Lençe në “E ikura” nga Vasil Ilsoki, Elena në “Ëndërra e një nate vere” nga Shekspiri, Jeta në dramën e Nexhat Mustafës  të titulluar “Jeta”, Vasilisa Karpovna në “Fundërrinat” nga Maksim Gorki, Rada në “Trashigimtarët” nga Branko Pendovski, Nëna në “Doruntina” nga Ismail Kadare, Marta në “Motrat me shirit të kuq” nga Puntorie Muça – Ziba në regji të Drita Pelingut, Madam Hani në “Dhëndri nga Parisi” nga Driton Miftari, Helena në “Kapelja e bardhë” nga Olsa Maze,etj.

Elhame Bilalli- Fotografi nga albumi personal profesional
Elhame Bilalli- Fotografi nga albumi personal profesional

Karriera e saj shumëvjeçare është pasuruar edhe me role të shumta në filma të ndryshëm artistikë, filma dhe seriale televizive, si dhe me pjesëmarrje në shumë festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare të teatrit dhe filmit. Rolet filmike: Manusha në “Kur pranvera vonohet” (1979, regjia Ekrem Kryeziu), Linda në “Eduart” (2006, regjia Angeliki Antoniou), Gruaja e Kerimit në “Lindje-Perëndim-Lindje” (2008, regjia Gjergj Xhuvani), “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” (2019, regjia Kushtrim Bekteshi), “DJ Ahmet” (2023 në post-produksion, regjia Gjorgji Unkovski) dhe shumë të tjerë.

Elhame Bilalli- Fotografi nga albumi personal profesional
Elhame Bilalli- Fotografi nga albumi personal profesional

Me rastin e daljes në pension, ajo luajti rolin e Abby Brewster në shfaqjen “Arseniku dhe dantellat e vjetra” nga Joseph Kesselring, me regji të Kushtrim Bekteshit, në skenën e teatrit amë. Po atë vit u shpërblye edhe me Çmimin për vepër jetësore në Festivalin “Vojdan Çernodrinski” në Prilep.

Elhame Bilalli është një ndër aktoret më të dalluara e cila me vite të tëra ka mbajtur repertorin e Teatrit Shqiptar. Talenti, dashuria dhe përkushtimi i saj i madh për teatrin, krijimi me kujdes të madh i personazheve të profileve të ndryshme, energjia pozitive që reflekton në komunikimin dhe bashkëpunimin kolegial gjatë krijimit të përbashkët, e bëjnë atë një aktore që çdo ekip teatri apo filmi do të dëshironte ta kishte në ansamblin e vet.

Personazhet dhe karakteret që ka luajtur mbahen në mend edhe sot si nga kritika ashtu edhe nga publiku.