Kaloi raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kosova ka kaluar votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, raporton Koha.net. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti shkroi në Facebook se është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, duke thënë se ky opinion rekomandon anëtarësimin pa asnjë parakusht.

“Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit. Të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas Ahmetit, propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit. Ai ka thënë se kjo i bie që Kosova duhet të bëhet anëtare në muajin maj të këtij viti.

“Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5. Suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti”, ka shtuar zyrtari i MPJD-së.

KOHA ka mësuar se pro anëtarësimit të Kosovës kanë qenë 31 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar të suksesshëm këtë hap, duke thënë se do të vazhdohet puna me aleatët për anëtarësim.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në instrumentet e KiE-s nëpërmjet anëtarësimit të plotë të Kosovës”, ka shkruar ajo në rrjetin social X.