Jehona e vitit 1917, ndikimi i saj në shtetet ballkanike dje dhe sot

Kur bashkëpunëtori i ngushtë i Josip Broz Titos, Millovan Gjillasi u përjashtua nga Partia Komuniste Jugosllave (PKJ) në vitn 1954 dhe u burgos nga autoritetet sepse në librin e tij “Klasa e Re”, kritikoi komunizmin dhe organizimin e jetës shoqërore në-ish-Jugosllavi, një rol të madh që Gjillasi të dënohet luajti shërbimi sekret dhe PKJ-ja. Shkurt, roli i partisë ishte vendimtar në gjykimin e tij, pasi e majta jugosllave ishte në kulmin e forcës dhe ky dënim i duhej për të treguar fuqinë. 70 vjet pas, në dekadën e tretë të këtij shekulli, luftën në Ukrainë askush nuk e kishte menduar se do të zgjaste kaq shumë.

Rusia e lodhur nga rezistenca ukrainase, nuk është në gjendje ta përfundojë këtë luftë. Sanksionet ekomomike të botës demokratike e kanë bërë të veten. Populli rus që nga Revolucioni i Tetorit të vitit 1917-të nuk e ka gëzuar lirinë. Ideologjia e komunizmit sovjetik fillimisht me Leninin e pastaj me Stalinin solli njëmendësi tjetër në BRSS. Vuatje dhe vrasje jo vetëm për qytetarët rusë. Kur BRSS-ja nisi të shpërbëhej, populli rus shpresonte shumë në reformat që do t’i ndërmerte lidershipi rus. Disa veprime të pas vitit 1990, sollën një liri të kufizuar në Rusinë post- sovjetike, mirëpo me ardhjen në pushtet të presidentit rus Vlladimir Putin, Rusia u kthye në të kaluarën bollshevike. Vrasjet dhe revanshizmi u bënë të zakonshme në Rusinë e post- Jelcinit.

Historikisht ngjarjet politike në Rusi dhe në hapësirën ballkanike kanë pasur një prejardhje të përbashkët. Partitë politike komuniste me bazë sovjetike (ruse) u bënë nxitëse të shumë proceseve që përfunduan me tragjedi. P. sh. e majta bullgare në revolucionin rus të vitit 1917 luajti rol kryesorë. Pas vrasjes së perandorit rus, Nikollasit të II, raportet speciale të së majtës bullgare dhe ruse u zhvilluan në disa drejtime. Bullgaria edhe pse nuk kishte kapacitete të mëdha politike dhe financiare, zinte një vend të rëndësishëm në shtrirjen e ideologjisë sovjetike në rajon. Në politikën bashkëkohore, këtë politikë ruse e zhvillon sot Serbia. Kur flitet për marrëdhëniet e Bullgarisë dhe të Serbisë me vendet fqinjë dhe me Rusinë, duhet pasur në konsideratë historinë e këtyre dy shteteve. Pas ngjarjeve të tetorit të 1917-tës, kontributi i së majtës bullgare dhe serbe ndaj projektit sovjetik (rus) ishte i theksuar.

Hapësira e re e ndikimit sovjetik ishte hapur disa dekada më herët, atëherë kur sovjetikët në vitet e 30-ta i forcuan kontaktet me organizatat ballkanike komuniste. Më tej, në fund të LDB-së pas parakalimit të trupave ushtarake sovjetike në Beograd, politika sovjetike kishte instaluar njerëzit e duhur në Partinë Komuniste Jugosllave, të Bullgarisë dhe në shumë vende tjera të Evropës Lindore, pa harruar këtu edhe Greqinë. Në atë kohë, sovjetikët bënë një lëvizje në kohë, duke e konsoliduar pushtetin e partive komuniste nga Varshava e deri në Ballkan. Ky ndikim ishte i fortë në bllokun komunist lindor, kurse Jugosllavia e Titos pas vitit 1948 shpëtoi nga “virusi” stalinist i shoqërisë. Shtetet ballkanike arritën t’i largohen sferës sovjetike, në përjashtim të Shqipërisë, (1948-61), pasi Moska në atë kohë nuk kishte burime të mjaftueshme ekonomike. Në garën ushtarake me SHBA-të, sovjetikët e humbën vullnetin për të mbajtur në kontroll të plotë të gjitha shtetet e Evropës Juglindore. Krahasuar me Evropën Lindore, shtetet e Ballkanit kishin pak gjasa të bëheshin një teatër konfrontimi me NATO-n dhe BRSS-në.

Përderisa Lufta e Ftohtë vazhdoi për pesë dekada, partitë e majta në Evropën Qendrore dhe në Ballkan e kishin infektuar popullin me mësime kundër kapitalizmit. Përveç rolit të partive politike në mbatjen e popujve nën thundërn e kuqe, sigurimi dhe ushtria sovjetike e kishte për detyrë ta bëjë punë e vet, duke qenë gati të shtypë protestat e popullatës. Pasi sovjetikët u siguruan se “Perdja e Hekurt” nuk do të shembej, Ushtria e Kuqe u largua nga Bullgaria në vitin 1947, nga Austria në vitin 1955, nga Rumania në vitin 1958, dhe nga Hungaria në vitin 1991, kur BRSS-ja u shkatërrua. Kur flasim për të majtën politike dhe ndikimin historik në Ballkan, BRSS-ja arriti t’i ndihmonte shumë partitë simotra, për të marrë pushtetin para 1945- tës dhe më pas. Moska gjithashtu arriti t’i mbante ato në pushtet sipas “Doktrinës së Brezhnjevit”. Mirëpo, këtë gjë sot e ka vështirë ta bëjë pasi rrethanat kanë ndryshuar dhe partitë që janë nën ndikimin e sotëm rus nuk arrijnë të fitojnë aq pushtet. Këtu duhet përjashtuar përsëri Serbinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut të ndikuar në disa faza. Si atëherë dhe tani, pjesa dërmuese e shteteve ballkanike u larguan nga politika moskovite, pasi sovjetikët (rusët) realisht kishin mungesë të burimeve financiare dhe ekonomike.

Rusia sovjetike në atë kohë nuk kishte aq të mira materiale për t’i joshur shtetet dhe nuk ishte vend i lirë. Po sot Rusia e Putinit nuk ka burime financiare për të mbajtur gjallë këtë ndikim, qoftë tek partitë politike apo për të vazhduar për një kohë të pacaktuar format e luftës hibride. Në plan afatgjatë rusët do të jenë aktivë dhe planprishës po aq sa qeveritë dhe partitë politike të rajonit të Ballkanit do ta përdorin këtë ndikim për interesat e tyre. Mbetet që qeveritë të punojnë për zbatimin e politikave të reja që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike dhe më shumë hapësirë për partitë që veprojnë jashtë frymës së putiniste. Ndryshe mund të kthehet një gjendje e dikurshme si para fillimit të Luftës së Ftohtë, kur as Perëndimi dhe as sovjetikët nuk kishin një zgjidhje të qëndrueshme për Ballkanin dhe natyrën e partive politike. Për të mësuar nga historia, ja vlen që në kohën e sotit të kemi kujdes nga involvimi i aktorëve apo individëve me pikëpamje staliniste. Kjo do të ishte një fatkeqësi tjetër dhe kthim prapa në histori, ashtu si dikur Lenini dhe mbështetësit e tij me shokë e morën pushtetin duke shkaktuar dhimbje dhe humbje njerëzore. Pasojat e ardhjes në pushtet të komunistëve apo partive radikale të majta u ndjenë në mbarë botën pa përjashtuar Ballkanin dhe shqiptarët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.