Janevska: Notë të dobët për arsimin në Maqedoninë e Veriut

Arsimi në Maqedoni meriton notë njësh. Në Universitetin e Tetovës është konstatuar zgjedhje e paligjshme e dy profesorëve, ndërsa parregullsi ka edhe në “Apostol Pavle” në Strugë, thotë ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë.

“Gjendja ishte vërtetë shumë e keqe dhe një njësh do të ishte notë e përshtatshme nëse duhet të vlerësohej. Ne u gjendëm me borxhe të mëdha, të cilat ende po i shlyejmë dhe ende nuk mund t’i përballojmë, edhe pse kanë kaluar gati katër muaj. Por përveç kësaj, kemi gjetur situata të pazgjidhura dhe të shtresuara prej vitesh. Mungesa e teksteve, papërgatitja për 1 shtator, bursa të papaguara, do të thotë standardi studentor i lënë pas dore, standardi studentor plotësisht i neglizhuar, projektet kanë filluar dhe janë ndalur për një periudhë më të gjatë pa arsye…”, thotë Janevska.

Ajo thekson se ende nuk kanë përfunduar inspektimet në universitete dhe institucionet e arsimit të lartë dhe thotë se parregullsitë njëra pas tjetrës po konstatohen vazhdimisht.

Si shembull ajo përmend zgjedhjen e paligjshme të dy profesorëve në Universitetin e Tetovës dhe shton:

“Këto janë sërish procese të vazhdueshme që janë ende në fazën e analizës sepse Ligji për Inspektim Arsimor parasheh edhe udhëzime të caktuara se si të punohet. Për disa lëshime thuhet se duhet të hiqen brenda një afati të caktuar, pastaj Inspektorati Shtetëror Arsimor shkon të kontrollojë nëse janë hequr apo jo. Bën përsëri kontrollin, nëse hiqen, pason një raport i ri. Nëse nuk hiqen do të pasojnë disa penalitete dhe aktualisht në dy raste kemi të ashtuquajturat zgjidhje kur universiteti duhet të paguajë gjobë”, shton Janevska.

Kujtojmë se ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevskanë fillim të muajit tetor ka konfirmuar konstatimet për parregullsitë në Universitetin e Tetovës të cilat bazohen në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.

Nga Universiteti i Tetovës për Portalb.mk thanë se sipas Zyrës për Çështje Juridike, Këshilli Mësimor – Shkencor i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara-UT, ka vepruar në bazë të vërejtjeve të Inspektoratit. Për rrjedhojë, Merita Mustafit ia ka anuluar thirrjen dhe ka filluar procedura për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në Universitetin e Tetovës”.

Ndryshe, raporti i KE-së vlerësoi se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e arsimit dhe se është bërë përparim i kufizuar.