Janevska: Koncepti për arsimin fillor nuk jep rezultate, së shpejti përmes debatit publik do të ndryshohet

Koncepti i cili nuk jep rezultate, është i nevojshëm të ndryshohet. Aspekte të caktuara të konceptimit për arsimin fillor do të pësojnë ndryshime, sepse as mësimdhënësit, as nxënësit dhe prindërit nuk janë të kënaqur me implementimin dhe efektet e arritura. Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në takim me drejtorin e Byrosë për Zhvillim e Arsimit, Abdulfeta Fetai, në të cilën u diskutua për gjendjet aktuale në arsim dhe përpjekjet për përmirësimin e tij, në interes të krijimit të gjeneratave kualitative të nxënësve, transmeton Portalb.mk.

“Planifikuam që historia, gjeografia, edukata qytetare dhe lëndët e tjera të mësohen sërish si lëndë të veçuara, ndërsa jo siç janë aktualisht të bashkuara dhe të krijohet konfuzion tek mësimdhënësit dhe nxënësit që vërtet pyesin çdo ditë se me cilën lëndë orë mësimore. Materia duhet qartë të përkufizohet, siç është praktikë në shumicën e vendeve në Evropë dhe më gjerë”, tha Janevska.

Në takim u diskutua edhe për gjendjen me tekstet shkollore, veçanërisht në arsimin fillor, ku mungojnë  një pjesë e  madhe e lëndëve. Janevska potencoi se po bëhen përpjekje që para se të fillojë viti i ri shkollor të sigurohet e njëjta gjë për të gjitha paralelet, ndërsa për arsimin e mesëm do të ndodhë gradualisht në vitet e ardhshme sepse gjendja është vërtet katastrofale.

Bashkëbiseduesit folën edhe për përdorimin dhe problemet në përdorimin e ditarit-elektronik ekzistues, si dhe përfitimet e ditarit të ri elektronik i cili u promovua mbrëmë, ndërsa do të zbatohet pasi të plotësohen të gjitha parakushtet, gjë që pritet të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Ministrja theksoi se në këtë periudhë kalimtare të digjitalizimit të arsimit, përmes anketës elektronike, do të dëgjohet mendimi i mësimdhënësve nëse në këtë fazë duhet të hiqet tërësisht ditari në letër apo do të ishte e dobishme të plotësohej versioni i modifikuar në të cilën ata do të futin vetëm notat dhe mungesat.

Kujtojmë se në fillim të vitit 2021, aktuale ishte tema për konceptin e ri të arsimit fillor, me të cilin parashiheshin disa ndryshime për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

Koncepti i ri ngjalli reagime në opinion, të cilat në fillim kishin të bëjnë me shkrirjen e disa lëndëve në një lëndë të integruar. Ministrja e atëhershme Carovska tha se frika nga integrimi i lëndëve, në një moment të caktuar, ishte keqpërdorë për qëllime politike, por që më pas ishte zvogëluar. Ajo në disa raste përsëriti se arsimi duhet të pësojë ndryshime, gjë që e sugjerojnë edhe testimet vendore edhe ato ndërkombëtare, si dhe prindërit e mësimdhënësit të cilët i kanë propozuar këto ndryshime konceptuale.

Ministria e Arsimit (MASH) dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA), i qetësonin ankesat e prindërve duke thënë se nuk do të lejojnë që nxënësit të mos pajisen me njohuri nga historia, gjeografia apo përmbajtje nga ndonjë disiplinë tjetër shkencore, por që mësimi i këtyre degëve do të përshtatet me moshën e nxënësve.

Pasi u hap thirrja për propozime dhe sugjerime, koncepti i ri për arsimin fillor u miratua në mars të vitit 2021.