Izet Zeqiri kthen gurin në art: Sonte shfaqet ekspozita që sjell natyrën në mozaik
Sonte (28 gusht), në hapësirat e Galerisë së Arteve në Tetovë, me fillim nga ora 19:00, Izet Zeqiri do të hapë ekspozitën e pestë personale me mozaike e titulluar “Natyra në Gurë”, shkruan Portalb.mk.
Ekspozita e pestë personale të mozaikëve nga Izeti “Natyra në gurë”, paraqitet si një vazhdimësi e natyrshme dhe njëkohësisht një transformim i thelluar artistik në mediumin e mozaikut. Ekspozita “Natyra në gurë” përfaqëson një kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin e tij krijues, ku materiali arkaik i gurit shndërrohet në një gjuhë të re shprehëse në dëshmi të heshtur të përjetësisë dhe të ndjeshmërisë njerëzore.
Në këtë cikël veprash, guri nuk është më vetëm element natyror apo teknik, por kthehet në një medium komunikimi mes artistit dhe natyrës, mes së kaluarës dhe së tashmes, mes substancës dhe shpirtërores.
Me veprat e tij, Zeqiri synon të ruajë trashëgiminë kulturore, duke e lidhur artin bashkëkohor me rrënjët tradicionale. Shpesh, mozaikët e tij kanë edhe një dimension filozofik e meditativ, ku guri shndërrohet në simbol të qëndrueshmërisë dhe kujtesës.
Izet Zeqiri për Portalb.mk tha se guri dhe druri janë simbol i qëndrueshmërisë, kujtesës dhe historisë.
“Guri dhe druri janë simbol i qëndrueshmërisë, kujtesës dhe historisë. Duke punuar me gurë natyralë duke komunikuar me gurët gjatë thyrjes dhe pregatitjes, unë dëshiroj të përcjell mesazhin e lidhjes së njeriut me natyrën, si dhe të tregoj se çdo gjë si bukuria dhe jeta mund të gjenden edhe në materiale të forta e të ftohta dhe të paraqiten në forma dhe imazhe të ndryshme varëdisht nga tematika”, tha Zeqiri.

Ai edhe më tej shtoi se mozaikun e sheh si një urë mes traditës dhe modernitetit.
“Mozaiku është një art i lashtë që ka lënë gjurmë në kulturën tonë, nga mozaikët e antikitetit deri te krijimtaria e sotme. Në artin bashkëkohor shqiptar, unë e shoh mozaikun si një urë mes traditës dhe modernitetit një gjuhë vizuale që mund të flasë për vlera universale, por edhe për identitetin tonë kombëtar. Në veprat e mia unë jam munduar të bëjë prezentimin e vlerave tona kombëtare”, tha Zeqiri.
Zeqiri tha se ky lloj arti kërkon kohë, vëmendje dhe përkushtim.
“Durimi dhe preciziteti janë themelore. Çdo gur i vogël vendoset me përpikëri dhe kërkon kohë, vëmendje dhe përkushtim. Procesi është i gjatë dhe shpesh i lodhshëm, por pikërisht aty qëndron edhe bukuria e mozaikut në kujdesin e detajit dhe në respektin për materialin sepse është i rallë dhe e kushtueshëm. Për nga natyra jam shumë aktiv dhe dinamik por kurë punojë në mozaik jam shumë i qetë dhe i ngadalshëm shpesh më ndodh që të punojë me orë të tëra pa lëvizur fare nga vendi”, tha Zeqiri.
Ai deklaroi se në punimet e tij ka një traditë të mozaikut që e frymëzon.
“Po, padyshim. Nga mozaikët e njohur të periudhës romake dhe bizantine në Shqipëri e Maqedoni, e deri te elementët e artit popullor, ne kemi një trashëgimi të pasur që më frymëzon. Unë mundohem ta marr atë frymë tradicionale dhe ta përcjell në një formë të re këtë e kam bërë edhe në veprat e mia, të lexueshme për njeriun bashkëkohor”, tha Zeqiri.

Zeqiri gjithashtu foli për emocionet dhe ngjyrat që i përcjellë përmes gurit.
“Edhe pse guri është i fortë dhe i palëvizshëm, ngjyrat, nuancat dhe kombinimi i tyre japin jetë unë mbledhë gurë gjithandej ka lëvizi. Thyrja e tyre me precizitet është emocion në veti dhe një aktivitet dhumë qetësues dhe antisres.Unë mendoj se çdo gur ka shpirtin e vet, unë i mbledhë dhe sistemoj në ateljen time dhe nëpërmjet përzgjedhjes dhe vendosjes së tyre në platformë, unë mundohem të krijoj atmosferë, lëvizje dhe emocion dhd në fundë imazh”, tha Zeqiri.
Ai mozaikun e sheh si art që nuk vjetërohet, sepse është i vjetër dhe përjetshëm po aq sa vetë guri.
“Unë nuk besoj se mozaiku po përjeton një rilindje sepse të paktë janë artistë që meren me mozaik. Nga njëra anë, ai mbetet i lidhur ngushtë me traditën dhe historinë, por nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë artistë po e përdorin për të shprehur ide moderne përmes mozaikut. Unë e shoh si një art që nuk vjetërohet, sepse është i vjetër dhe përjetshëm po aq sa vetë guri”, tha Zeqiri.

Zeqiri është artist i mozaikut, i cili njihet për kombinimin e mjeshtërisë artistike me përdorimin e gurëve natyralë, duke krijuar vepra që bartin thellësi shpirtërore, mesazhe kulturore dhe estetikë unike.
Punon kryesisht me gurë natyralë, të cilët i zgjedh me kujdes sipas ngjyrës dhe strukturës. Mozaikët e tij janë të karakterizuar nga harmonia mes traditës dhe modernitetit. Shumë prej veprave i kushtohen njeriut, natyrës dhe figurave historike e universale. Akademik Izet Zeqiri ndonëse ekonomist me profesion ai ka realizuar katër ekspozita paraprake personale:
- “Mozaik me copëza jete”, prezantim i parë i mozaikut si art i jetës së përditshme.
- “Gruaja në copëza guri”, dedikim për figurën e gruas si simbol i forcës dhe bukurisë.
- “Nënë Tereza-nga Shkupi deri në Kalkut”, homazh për humanisten e madhe shqiptare.
- “Tradita në gurë”, përmbledhje artistike e trashëgimisë kulturore shqiptare nëpërmjet gurit.
Përveç artit, Izet Zeqiri është edhe doktor i shkencave ekonomike, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, si dhe autor i mbi 20 librave në ekonomi dhe menaxhment. Ky dimension i dyfishtë-i dijes akademike dhe i krijimtarisë artistike-e bën figurën e tij të veçantë.
