“iPhonë-t” e destinuar për tregun amerikan nuk do të prodhohen më në Kinë
Apple njoftoi se nuk do të prodhojë më shumicën e iPhone-ve dhe pajisjeve të tjera të destinuara për tregun amerikan në Kinë, me qëllim që të shmangë tarifat e reja të Donald Trump. Në vend të Kinës, iPhone-ët do të prodhohen në Indi dhe pajisjet e tjera elektronike në Vietnam, tha drejtori ekzekutiv i Apple, Tim Cook, raporton BBC.
Kjo vjen pasi gjiganti i teknologjisë vlerësoi se detyrimet e importit të SHBA-së mund të rrisnin kostot e tij në tremujorin aktual me 900 milionë dollarë, pavarësisht vendimit të Trump për të përjashtuar pajisjet kryesore elektronike nga tarifat e reja.
“Ne presim që shumica e iPhone-ve të shitur në Shtetet e Bashkuara të vijnë nga India. Në të njëjtën kohë, Vietnami do të jetë qendra kryesore e prodhimit për markat iPad, Mac, Apple Watch dhe AirPods. Kina do të vazhdojë të prodhojë shumicën e produkteve tona të destinuara për tregjet jashtë Shteteve të Bashkuara”, tha Cook.
Administrata Trump i ka kërkuar vazhdimisht Apple të zhvendosë prodhimin e saj në Shtetet e Bashkuara. Cook tha se Apple planifikon të investojë 500 miliardë dollarë në disa shtete të SHBA-së gjatë katër viteve të ardhshme.