Intervistë: Me lojën “Shkupi” bota do të njihet me arkitekturën tonë brutaliste

Loja filloi katër vite më parë si një projekt i mbështetur nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZhT). Që atëherë e deri më sot, ne po punojmë vazhdimisht me të gjithë ekipin për ta përfunduar këtë lojë. Kanë kaluar katër vjet, loja po përparon, thotë Kristijan Trajkovski nga Dark-1 në një intervistë për Meta.mk.

Për kënaqësinë e të gjithë gejmerëve, Kristijan Trajkovski së bashku me dizajnerin e lojërave Marko Zarev dhe drejtorin artistik Simon Stojanovski nga studio Dark-1, tashmë për më shumë se katër vjet po punojnë në krijimin e një loje që do t’i kënaqë të gjithë adhuruesit e arkitekturës brutaliste të Shkupit, por edhe të videove-lojërave luftarake. Meta.mk bisedoi me programerin Trajkovski, i cili na dha shumë informacione interesante për procesin e krijimit të kësaj loje.

Gejming Studio maqedonase Dark-1 kah mesi i muajit shtator publikoi një demo të lojës “Shkupi” në platformën Steam. A mund të na e përshkruani shkurtimisht historinë e zhvillimit të kësaj loje?

Kristijan Trajkovski: Lojën e filluam katër vjet më parë si një projekt të mbështetur nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZhT). Që atëherë ne punojmë rregullisht me të gjithë ekipin që ta përfundojmë këtë lojë. Kaluar katër vjet, loja po përparon, por demoja është e vetmja gjë që e kemi përfunduar dhe që ia kemi prezantuar botës deri më tani. Kjo demo u prezantua në eventin PAX West, i cili mbahet çdo vit në Seattle dhe është një nga ngjarjet më të mëdha të videolojërave në botë.

Nga sa arritëm të zbulojmë, në lojën “Shkupi” ka motive nga arkitektura brutaliste e Shkupit, por edhe tipografi jugosllave. Nga u erdhi frymëzimi për diçka të tillë dhe çfarë mendoni se do të nxisnit te gejmerët me këtë tematikë?

Kristijan Trajkovski: Ky mjedis – tipografia dhe arkitektura janë diçka që rrallë herë e shohim në videolojëra dhe mendoj se duhet të jetë një përvojë shumë interesante dhe unike për lojtarët tanë. Ne frymëzohemi nga përditshmëria jonë, të gjithë jemi rritur në këtë qytet dhe e dimë se si zhvillohet. Janë përfshirë të gjitha objektet më të rëndësishme të natyrës brutaliste të qytetit – Posta, Stacioni Hekurudhor, Konvikti i Studentëve “Goce Dellçev”, UKM-ja dhe shumë objekte të tjera.

Si ka qenë deri tani rruga e suksesit të lojës “Shkupi” nëpër botë, cilat janë arritjet më domethënëse me të cilat krenoheni si zhvillues i kësaj loje?

Kristijan Trajkovski: Siç thashë edhe më parë, loja filloi si projekt nga FIZhT. Pas përfundimit të projektit ne kishi gati një version të lojës me të cilin filluam të kërkonim një publikues. Arritëm të gjejmë një publikues amerikan, PM Studios, i cili është i interesuar që ta publikojë lojën tonë. Me ta jemi duke punuar së bashku për rreth dy vjet dhe falë tyre ne arritëm që ta plasojmë lojën tonë në PAX West. Në PAX West u surprizuam shumë sepse njerëzve në përgjithësi u pëlqeu shumë mënyra se si dukej loja, ata pritën radhë për ta provuar lojën. Në përgjithësi, ne patëm reagime pozitive nga pothuajse të gjithë ata që e luajtën lojën. Nuk kishte probleme të tmerrshme, loja ishte e luajtshme, njerëzit atje e pëlqyen.

Cilat janë hapat e ardhshëm të promovimit të lojës “Shkupi” në periudhën e ardhshme dhe si janë deri më tani reagimet e gejmerëve për të?

Kristijan Trajkovski: Loja është e disponueshme në Steam, por është e disponueshme vetëm për t’u shtuar në Wishlist. Kjo është mënyra kryesore për të mbledhur njerëz që do e ndjekin lojën dhe blerës të mundshëm. Sa i përket promovimit, për këtë do vendosë publikuesi, por shpresoj që sa më shpejt të gjendet edhe në treg.

Në vendin tonë gejmingu nga shoqëria ndonjëherë shihet si humbje kohe, veçanërisht për të rinjtë, edhe pse Federata e E-Sportit të Maqedonisë dhe programerët tanë gëzojnë një rejting mjaft të mirë në nivel ndërkombëtar për sa i përket gejmingut. Çfarë do thonit për paragjykimin se gejmingu është humbje kohe për të rinjtë?

Kristijan Trajkovski: Njësoj si filmat që janë një humbje kohe edhe lojërat janë një formë zbavitjeje, por një humbje kohe në një mënyrë argëtuese. Kjo është mënyra kryesore për të thënë se njerëzit që luajnë nuk po e humbin kohën kot, por e përdorin atë për diçka që u pëlqen ta bëjnë. Megjithatë, duhet bërë brenda disa kufijve të arsyeshëm. Nëse rrini dhe lexoni libra gjatë gjithë kohës, as kjo nuk është gjëja më e mirë. Gjithçka brenda kufijve normalë është në rregull, por nga ana tjetër, Federata E-Sports dhe E-Sports në përgjithësi janë diçka krejtësisht ndryshe. Ata nuk luajnë për tu zbavitur, por profesionalisht dhe sepse e dinë se mund të fitojnë para nga kjo. Pastaj, zhvillimi i lojërave është diçka ndryshe. Ne si zhvillues as që mund të luajmë lojën tonë, jemi me të çdo ditë dhe e humbasim ndjenjën se çfarë është loja jonë. Për ne është më shumë si një angazhim profesional.

A keni ndonjë mesazh për të rinjtë në lidhje me lojën tuaj dhe gejmingun?

Kristijan Trajkovski: Nëse jeni të interesuar për zhvillim të lojërave, kjo është një rrugë shumë e vështirë dhe e mundimshme. Ne jemi duke punuar bashkë tashmë 10 vjet me ekipin origjinal që e filloi Dark-1. Ishte një ngjitje shumë e vështirë, vazhdimisht kishim disa probleme me kohën, zhvillimi i lojës kërkon një kohë shumë të gjatë, e përmenda tashmë se për lojën “Shkupi” jemi duke punuar tash e katër vjet dhe kjo gjë kërkon shumë njohuri për shumë gjëra. Është një bashkim i një numri të madh aktivitetesh – programim, art, vizatim, modelim 3D, dizajn i zërit, muzikë. Thjesht janë shumë gjëra që duhet të funksionojnë së bashku që në fund të keni një lojë të bukur. Nevojitet shumë kohë dhe duhet një ekip për të bërë diçka solide. Nëse doni të jeni një zhvillues lojërash, kjo gjë mund të bëhet, por është një rrugë e vështirë. Ju të tjerët, kënaquni me lojërat.