Iluzioni evropian i kryeministrit, kur ngecja shitet si sukses por faktet flasin ndryshe 

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Si sot më kujtohet 19 korriku i vitit 2022 kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbajtën konferencat ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Atë ditë, në Bruksel ishim plot entuziazëm, mbizotëronte bindja se më në fund ëndrra evropiane po merrte trajtë konkrete.

Por realiteti na tregoi diçka tjetër. Tre vite më vonë, Maqedonia e Veriut ka mbetur në të njëjtin vend, ndërsa Shqipëria i qëndroi besnike obligimeve të marra dhe vazhdoi rrugën e saj pa u ndalur. 

Sot Shqipëria hapi grupkapitullin e fundit në negociatat me Bashkimin Evropian, një moment që tregon qartë se fqinji ynë po lëviz me ritëm të qëndrueshëm dhe real drejt integrimit.

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet e bllokuar në të njëjtin vend, duke u ushqyer me deklarata boshe, narrativë optimiste dhe justifikime të pafundme të qeverisë. 

Edhe pas këtij realiteti të hidhur, kryeministri ynë vazhdon të përsërisë se Maqedonia e Veriut është para Shqipërisë në rrugën eurointegruese. Si? Faktet flasin ndryshe. 

Të dy vendet hapën konferencat e para ndërqeveritare në të njëjtën ditë dhe që nga ajo ditë rrugët ndanë kahje.

Shqipëria vazhdoi të avancojë, të hapë kapituj, të tregojë rezultate konkrete dhe të ruajë ritmin e negociatave.

Kurse Maqedonia e Veriut mbeti peng i krizave të brendshme, lojërave politike dhe paaftësisë së institucioneve tona. 

Në vend që të përballemi me këtë ngecje të dukshme, qeveria vazhdon t’i shmanget përgjegjësisë, duke u fshehur pas arsyetimeve. Derisa vendet e rajonit lëvizin, ne i marrim të njëjtat premtime dhe i riciklojmë si “suksese”. 

Derisa qeveria të vazhdojë të jetojë në një realitet paralel ku ngecja paraqitet si progres, vendi do të vazhdojë të humbasë kohë dhe besim.

Sot diferenca mes nesh dhe Shqipërisë nuk është rastësi, është rezultat i punës së të dy vendeve. Nëse RMV-ja nuk ndryshon qasja sa më parë, vendi rrezikon të mbetet jo vetëm pas Shqipërisë apo Malit të Zi, por edhe pas vendeve të lindjes si Moldavia apo Ukraina. 

Dhe me këtë qasje do mbetemi aty për shumë gjatë…

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.