“Nuk mora vetëm rizgjedhjen si kryetar i VMRO-DPMNE-së, por sot fitoi ideja. Fitoi rruga që e trasojmë për Maqedoninë. Nderi është i madh, por përgjegjësia dhe detyrimi ndaj kësaj detyre janë edhe më të mëdha”, tha Hristijan Mickoski pasi sot pasdite, në Kongresin partiak të mbajtur në Kavadarcë, u rizgjodh për lider të VMRO-DPMNE-së, transmeton Portalb.mk.
Para delegatëve të kongresit ai theksoi se “u konfirmua dhe fuqizua pa ekuivok vendosmëria për të dalë nga rrethi i frikës, përçarjeve, ambicieve të ulëta dhe zakoneve politike që e tërhiqnin shtetin prapa”.
“Ju falënderoj për besimin. Kjo nuk është një barrë e lehtë, por është një barrë që e pranoj me qetësi. Me qetësi sepse e di se nuk e mbaj vetëm”, tha Mickoski, duke nënvizuar se kongresi është i rëndësishëm edhe për shkak të miratimit të strategjisë dhe doktrinës, me të cilat, siç tha ai, “krijuam diçka më shumë se dokumente politike – krijuam një udhërrëfyes kombëtar”.
“Miratuam dokumente që janë e ardhmja e kësaj partie dhe që duhet të rinovojnë besimin në politikë dhe të tregojnë se me strategji dhe plan rezultatet janë të arritshme dhe e ardhmja është e garantuar”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se “Maqedonia për shumë kohë ishte mësuar ta shohë veten përmes syve të të tjerëve dhe sipas pritjeve të të tjerëve, ndërsa ai gjithmonë ka dashur të dijë se si do të duket Maqedonia kur të fillojë të besojë në veten e saj”. Doktrina dhe strategjia, tha ai, janë një zotim para kombit për të arritur një version të Maqedonisë “që nuk ka kompleksin e një shteti të vogël, por dinjitetin e një civilizimi të lashtë”.
“Një version që nuk kërkon falje për ekzistencën e vet, që e di çfarë do dhe ecën drejt saj me durim, disiplinë dhe vizion. Për mua VMRO-DPMNE ka qenë gjithmonë një ide e madhe, por edhe një emocione që përmbajnë të gjitha shtysat tona historike të lidhura me atdheun tonë. Ju falënderoj për besimin e dhënë. Ju përulem për vendosmërinë, besnikërinë dhe besimin e madh. Kemi punë përpara nesh”, theksoi Mickoski.
Për Strategjinë dhe Doktrinën e partisë ai tha se ato janë korniza që duhet ta stabilizojnë dhe ta evropianizojnë shtetin dhe ta bëjnë atë konkurrues pa e humbur vertikalen shpirtërore.
Strategjia 2025–2030 dhe Doktrina, të cilat – siç tha – janë përgatitur me muaj, janë platforma që duhet ta përcaktojnë jetën e shtetit dhe zhvillimin e partisë në dekadën e ardhshme.
“Ky nuk është një dokument i zakonshëm. Është një marrëveshje kombëtare dhe një kornizë që e vendos Maqedoninë në të ardhmen evropiane pa e humbur vertikalen e saj historike… Dhe unë ju premtoj – askush nuk do ta shkelë atë marrëveshje. As unë, as Qeveria, as kushdo që mban përgjegjësi. Po hyjmë në një kapitull të ri, me detyra të reja ku synimi është të zgjidhim çështjet më të rëndësishme për qytetarët. Ky është një mandat në të cilin partia duhet të investojë gjithë potencialin e saj në ndërtimin e një sistemi funksional që u shërben qytetarëve… Detyra jonë më e rëndësishme është përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve”, tha Mickoski.
Ai shtoi se të rinjtë duhet “ta marrin një shans të vërtetë që nuk varet nga përkatësia politike apo çfarëdo përkatësie tjetër, por vetëm nga kapacitetet dhe aftësitë e tyre”.