Helmimet, tregtimi ilegal dhe vrasjet janë kërcënimet më të mëdha për kafshët e egra në RMV

Në punëtorinë për luftimin e krimit ndaj kafshëve të egra të organizuar nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë me mbështetjen e Asociacionit të prokurorëve publikë u arrit në përfundimin se gjuetia e paligjshme e kafshëve të egra, përdorimi i kurtheve dhe i rrjetave për kapjen e tyre, helmimi dhe tregtimi i paligjshëm i specieve të egra janë rastet më të shpeshta të krimit ndaj kafshëve të egra në Maqedoni. Në gusht të këtij viti Inspektorati Shtetëror i Mjedisit e miratoi Procedurën standarde të veprimit për trajtimin e rasteve të tilla, por përveç këtij dokumenti për momentin nuk ka procedura të qarta ndërinstitucionale kur bëhet fjalë për trajtimin e aktiviteteve kriminale ndaj kafshëve të egra në vend. Kjo ka si rezultat një numër shumë të vogël të aktakuzave dhe një numër edhe më të vogël të dënimeve për këtë lloj veprash,transmeton Portalb.mk.

Sipas pjesëmarrësve në punëtori e nevojshme është që të krijohet një Fond Kombëtar për t’i mbuluar aktivitetet që kanë të bëjnë me zhdukjen e krimit ekologjik, si dhe për ridefinimin dhe harmonizimin e dispozitave ligjore në fushën e mjedisit jetësor.

“Ka nevojë për më shumë trajnime për veprat penale kundër kafshëve të egra të dedikuara për organet gjyqësore, shërbimet e inspektimit, por edhe shërbimet e gjuetisë dhe rojeve pyjore, si dhe të krijohet një njësi e posaçme për zhdukjen e krimit ekologjik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. si dhe të punohet për sensibilizimin e popullatës për këtë lloj të veprave penale”, theksuan nga SHEM.

Kjo organizatë edhe një herë e theksoi nevojën e krijimit të strehimoreve për kafshët e egra të lënduara dhe kafshët e sekuestruara gjatë tregtimit ilegal, sepse këto kafshë nuk ka se ku të trajtohen, kështu që për këtë qëllim të shfrytëzohen objektet e Kopshtit Zoologjik në Shkupi.

“Ideja për organizimin e një punëtorie të tillë lindi nga nevoja për të hapur një diskutim me organet gjyqësore për sfidat dhe arsyet e mossuksesit të hetimeve për gjuetinë e paligjshme dhe dënimet që zbatohen për këto vepra penale. Na vjen mirë që mundëm të realizojmë një bashkëpunim me Shoqatën dhe me Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, si dhe të sigurojmë hapësirë ​​që të kemi propozime konkrete për përforcimin e mëtejshëm të kapaciteteve në zhdukjen e krimit ndaj kafshëve të egra”, thotë Arta Starova, koordinatore e projektit BalkanDetox LIFE nga SHEM, transmeton Portalb.mk.

Shpendë. Foto: Shoqata maqedonase ekologjike
Shpendë. Foto: Shoqata maqedonase ekologjike

Kryetari i Shoqatës së Prokurorëve Publikë, Elvin Veli, tha se detyra e organeve gjyqësore është qenësore në luftën kundër këtyre aktiviteteve kriminale.

“Roli ynë nuk është vetëm që t’i hetojmë dhe ndjekim penalisht autorët, por edhe të punojmë për parandalim dhe ndërgjegjësim. Ne duhet të bashkëpunojmë me institucione, organizata dhe komunitete të ndryshme lokale që t’i identifikojmë dhe zbatojmë ligjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe kafshëve të egra,. Pastaj, ne, bashkërisht, mund të iniciojmë propozim-ndryshime të akteve ligjore dhe nënligjore në drejtim të ndalimit dhe parandalimit të këtij lloj të veprave kriminale aty ku një gjë e tillë do jetë e nevojshme”, tha Veli, transmeton Portalb.mk.

Zëvendës drejtori i Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, Ilir Iseni, thotë se ka nevojë për rritje të edukimit dhe vetëdijesimit në sistemin gjyqësor.

“Vendi ynë ka vendosur mekanizma ligjorë që ofrojnë zgjidhje për trajtimin e këtyre veprave penale, por organizatat joqeveritare që veprojnë në këtë fushë zbulojnë dobësi të shumta, veçanërisht për kapacitetet administrative të institucioneve dhe gjykatave. Si arsye kryesore theksohet mungesa e koordinimit adekuat në nivel kombëtar dhe burimeve për kryerjen e hetimeve”, thotë Iseni.

gusht 2024, dhjetëra institucione, duke përfshirë Inspektoratin e Mbrojtjes së Mjedisit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucione të tjera kompetente për ndalimin e helmimeve të paligjshme të kafshëve të egra, si organet gjyqësore, gjykatat dhe prokuroritë publike më në fund morën udhëzimet dhe procedurat e sakta se si të veprohet në rastet kur në natyrë hasen kafshë të egra të helmuara.

Helmimi i kafshëve të egra është një praktikë e zakonshme në vend dhe në Ballkan, por pavarësisht kësaj, më pak se 20 për qind e incidenteve të helmimit zbulohen dhe dokumentohen. Sipas Studimit për helimin e shkabave ballkanike të vitit 2022, ndikimi aktual i përdorimit të helmit në natyrë është ndoshta shumë më i madh, duke pasur parasysh se vetëm shtatë specie të egra janë regjistruar, raportuar tek autoritetet dhe janë hetuar si viktima të helmimit të mundshëm në 30 incidente të veçanta. Këta janë kryesisht shkaba, shqiponja, ujqër dhe arinj, gjegjësisht specie të mëdha.