Helikopteri i kryeministrit armen bën ulje emergjente për shkak të motit të keq

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, tha sot se helikopteri i tij bëri një ulje emergjente për shkak të motit të keq, transmeton Anadolu.

Incidenti ka ndodhur pranë Vanadzorit, qyteti i tretë më i madh i Armenisë dhe kryeqyteti i provincës Lori në rajonin malor në veri, shkroi Pashinyan në Facebook.

“Për shkak të motit të keq, helikopteri ynë bëri ulje emergjente në Vanadzor. Tani vazhdojmë udhëtimin me makinë. Ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, tha ai.

Sipas raportimeve të mediave, kryeministri po shkonte për në vendbanimin Baganis në kufirin me Azerbajxhanin, ku së fundmi u demarkua kufiri.