Hekurudhat e RMV-së do të kenë konkurrencë, edhe kompani private do të mund të lëvizin në hekurudhat tona

Humbësi më i madh shtetëror dhe kompania e vetme që aktualisht operon në hekurudhat e Maqedonisë – Hekurudhat e RMV Transport në të ardhmen do të ketë konkurrencë nga operatorët privatë. Kuvendi i RMV-së aktualisht me procedurë të shkurtuar është duke miratuar ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në Ligjin për sistemin hekurudhor, me të cilin do t’i jepet fund monopolit shtetëror në qarkullimin hekurudhor në vend, transmeton Portalb.mk.

Amendamentet e propozuara ligjore nga ministri i transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski janë në lexim të dytë dhe duhet të jenë para deputetëve si pikë e rendit të ditës të seancës plenare të 120-të të Kuvendit të RMV-së. Nëse deputetët i pranojnë këto ndryshime, atëherë operatorët privatë do të mund të ofrojnë shërbime në trafikun hekurudhor të mallrave dhe pasagjerëve.

“Ndryshohet neni 16 i Projektligjit, gjegjësisht transporti publik hekurudhor i udhëtarëve dhe mallrave kryhet nga një person juridik privat vendas ose i huaj, përkatësisht hapet tregu për transportuesit tjerë hekurudhor”, thuhet në arsyetimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sistemin hekurudhor me procedurë të shkurtuar.

Në sqarimin e ndryshimeve ligjore nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, thuhet se me nënshkrimin e Marrëveshjes për themelimin e komunitetit të transportit, legjislacioni kombëtar duhet të harmonizohet me legjislacionin evropian në fushën e transportit hekurudhor. Këtë kërkesë Komisioni Evropian ia dorëzon vendit çdo vit në Raportet vjetore për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së.

“Me këtë marrëveshje është paraparë që legjislacioni kombëtar të harmonizohet me acquisin e BE-së në fushën e transportit hekurudhor. Marrëveshja duhet të kontribuojë në efikasitet më të mirë, kosto më të ulëta dhe cilësi më të mirë të shërbimeve për përdoruesit e transportit hekurudhor, duke hapur tregun dhe duke forcuar konkurrencën. Kjo është një nga kërkesat për anëtarësim në Union në mbledhjen e Nënkomitetit për transport, mjedis  jetësor, energji dhe zhvillim rajonal të mbajtur më 17 mars 2022”, thuhet në arsyetimin e ndryshimeve ligjore.

Përveç operatorit shtetëror hekurudhor, në të ardhmen në hekurudhat tona do të mund të operojnë edhe kompani private vendase dhe të huaja. Licenca për transport hekurudhor do të lëshohet nga Agjencia për Rregullimin e Sektorit Hekurudhor, e cila mban edhe Regjistrin e licencave të lëshuara për kompanitë. Në të njëjtën kohë, kompania private do të duhet të ketë certifikatë sigurie për transportin publik hekurudhor.

Për shfrytëzimin e infrastrukturës hekurudhore në vend, kompanitë private që do të transportonin udhëtarë dhe mallra në hekurudhat e Maqedonisë do të duhet të paguajnë për shfrytëzimin e infrastrukturës së Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore – Hekurudhat e RMV-së.

Shteti ka vite që vonon hyrjen e operatorëve privatë në hekurudhat tona, duke premtuar se do ta përmbushim këtë detyrim si kandidat për anëtarësim në BE pasi të bëhemi shtet anëtar i Unionit.

Por, me vonesa të tilla, në vend të zhvillimit të hekurudhës në Maqedoni, jemi dëshmitarë të zvogëlimit të vëllimit të transportit të mallrave dhe udhëtarëve nga hekurudha shtetërore, si dhe akumulim të mëtejshëm të borxheve nga Hekurudhat e RMV-Transport. Për shkak të kësaj, borxhli është edhe ndërmarrja publike që duhet të mirëmbajë infrastrukturën hekurudhore, ndërsa disa nga hekurudhat në vend nuk qarkullojnë fare me trena dhe ky potencial infrastrukturor është i pashfrytëzuar.