“Hap një dritare drejt botëve të reja”, u hap edicioni i 38-të i Panairit të Librit në Shkup

Në arenën “Boris Trajkovski” në Shkup, nën moton “Hap një dritare drejt botëve të reja”, sot është hapur edicioni i 38-të i Panairit të Librit, ku marrin pjesë mbi 65 shtëpi botuese nga vendi dhe rajoni, shkruan Portalb.mk.

Nga Maqedonia e Veriut në këtë panair prezantohen shtëpitë botuese “Albas”, “Logos A”, “Furkan ISM” dhe “Nobel”, ndërsa nga Kosova merr pjesë “Dituria Islame” dhe nga Shqipëria “Fan Noli”.

Edona Ferati nga Shtëpia Botuese “Albas” për Portalb.mk theksoi se libri mbetet ura më e sigurt drejt dijes, emancipimit dhe zhvillimit shoqëror. Ajo bëri të ditur se edhe këtë vit “Albas” vjen me një ofertë të pasur me tituj të rinj për të gjitha moshat dhe zhanret.

“Shtëpia botuese ‘Albas’, si çdo vit, prezantohet me libra për të rritur dhe për fëmijë. Pjesëmarrja në panair është shumë e rëndësishme për ne, sepse na afron më shumë me lexuesit dhe na jep mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë. Promovimi i librave të rinj është një kontribut i rëndësishëm për pasurimin kulturor dhe shpresojmë që përmes leximit të ndikojmë në progresin dhe emancipimin e shoqërisë”, u shpreh Ferati.

Ajo shtoi se, ndonëse këtë vit nuk do të ketë autorë të ftuar, fokusi mbetet te ajo që është më e rëndësishme për lexuesin, librat cilësorë dhe titujt e rinj.

“Në stendën tonë do të prezantojmë libra nga autorë shqiptarë dhe të huaj, duke përfshirë letërsi artistike, libra për zhvillim personal dhe financiar. Ndër titujt e rinj veçojmë ‘Portreti i një zonje’ nga Henry James, ‘Deti’ nga John Banville, ‘Kosova’ nga Arsim Canolli, ‘Poema e mungesës’ nga Rita Petro, si dhe tituj të rinj për fëmijë si ‘Përralla 11-katëshe’ nga Bedri Dedja dhe ‘Liza përtej pasqyrës’”, tha ajo.

Një tjetër risi këtë vit janë edhe çmimet promocionale, me ulje prej 20% deri në 30% për të gjitha botimet e “Albas”.

Ferati shprehu shpresën që interesimi i publikut të jetë më i madh, sidomos nga të rinjtë, për të cilët vërehet një rënie e interesit për leximin.

“Shpresojmë që panairi të ndikojë pozitivisht dhe t’i nxisë të rinjtë të lexojnë më shumë. Libri është një faktor kyç në zhvillimin personal, ai pasuron fjalorin, zhvillon imagjinatën dhe ndihmon në formimin e mendimeve më të pjekura”, theksoi ajo.

Në fund, ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të vizitojnë panairin dhe të afrohen më shumë me librin.

“Libri ka fuqinë të ndryshojë jetën për mirë. Ju ftojmë të vini dhe ta përjetojmë së bashku atmosferën e panairit”, përfundoi Ferati.

Foto nga Panairi i Librit në Shkup 2026. Foto. Portalb.mk
Foto nga Panairi i Librit në Shkup 2026. Foto. Portalb.mk

Muhamed Jashari, koordinator i botimeve të Shtëpisë Botuese “Logos-A”, për Portalb.mk tha se kjo shtëpi botuese në Panairin e Librit vjen me një numër të konsiderueshëm titujsh nga fusha të ndryshme, për të cilët beson se do të zgjojnë kureshtjen e lexuesve.

Sipas tij, pjesëmarrja e “Logos-A” në panaire ka rëndësi të veçantë, pasi në këtë mënyrë promovohet libri, kultura e leximit dhe fjala e shkruar.

Ai bëri të ditur se gjatë këtij edicioni nuk është paraparë ndonjë promovim i veçantë, megjithatë lexuesit do të kenë mundësi të gjejnë tituj të ndryshëm, si: “Ngritja dhe rënia e kombeve”“Digjitalja: A mund të ketë libër?”Në kërkim të thelbit”“Shi”“Amiri dhe bota teknotike e të tjerë.

Jashari theksoi se në stendën e “Logos-A” nuk mungojnë libra me karakter edukativ, shkencor, filozofik, religjioz, si dhe libra për fëmijë.

Duke folur për interesimin e publikut, ai vlerësoi se ai ende nuk është në nivelin e dëshiruar.

“Duhet ta kemi parasysh se jetojmë në një kohë krizash të ndryshme, ku imazhi dhe vizualiteti shpesh ia zënë vendin librit. Megjithatë, pavarësisht këtij realiteti social, njerëzit duhet t’i vizitojnë panairet, qoftë edhe vetëm për t’i prekur kapakët e librave”, tha Jashari.

Foto nga Panairi i Librit në Shkup 2026. Foto. Portalb.mk
Foto nga Panairi i Librit në Shkup 2026. Foto. Portalb.mk

Agim Abazi nga Shtëpia Botuese “Furkan ISM” për Portalb.mk tha se lexuesit shqiptarë në Panairin e Librit në Shkup nuk janë aq të shumtë krahasuar me lexuesit e tjerë, megjithatë interesimi për librin shqip është rritur dukshëm gjatë dekadës së fundit.

Ai bëri të ditur se në edicionin e sivjetmë të Panairit të Librit në Shkup, “Furkan ISM” prezantohet me një sërë botimesh të reja, mes të cilave veçohen: “Aftësitë komunikuese”“Jeta profetike”“Ndërmjet brengës dhe shpresës”“Simfonia e zemrës”“Një copë qiell i brendshëm”“Zëri që nuk hesht”“Përsosja e moralit” dhe “I riu nën hijen e Arshit”, si dhe rreth 100 tituj të tjerë nga botimet e viteve të kaluara.

Sipas tij, SHB “Furkan ISM” tash e 30 vjet merr pjesë rregullisht në këtë panair, duke dëshmuar seriozitetin dhe përkushtimin e saj në veprimtarinë kulturore dhe botuese.

“Edhe kur vizitueshmëria ka qenë më e ulët, ne kemi qenë pjesëmarrës aktivë në panair. Vetë prania jonë e vazhdueshme tregon seriozitetin që kemi ndaj librit dhe kulturës. Me botimet tona kemi arritur të ngjitemi ndër botuesit më të rëndësishëm të librit shqip në Maqedoninë e Veriut”, tha Abazi.

Ai shtoi se këtë vit nuk kanë planifikuar ndonjë promovim të veçantë.

Duke folur për interesimin e publikut, Abazi vlerësoi se, ndonëse në nivel global lexueshmëria e librit ka pësuar rënie për shkak të zhvillimit teknologjik dhe ndikimit të rrjeteve sociale, në Panairin e Librit në Shkup gjatë viteve të fundit është vërejtur një rritje e interesimit për librin shqip.

“Pavarësisht modernizimit të mjeteve të komunikimit masiv, si interneti dhe televizorët e mençur, lexuesit duhet të mbeten në kontakt fizik me librin, sepse libri ofron një ngrohtësi që mjetet elektronike nuk mund ta zëvendësojnë”, porositi Abazi.

Panairi do të jetë i hapur nga 23 deri më 29 prill, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të zgjedhin nga një gamë e gjerë librash të autorëve vendas dhe të huaj, të ndjekin promovime të veprave të reja dhe të takohen drejtpërdrejt me botuesit.