Gratë përmes garës së vrapit në mbështetje të grave me sklerozë të shumëfishtë

Për të tretin vit radhazi, u mbajt gara e vrapit e grave në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare për Ndihmë dhe Mbështetje të Personave me Sklerozë të Shumëfishtë. Këtë vit, 3500 pjesëmarrëse në Garën e Grave mbështetën gratë me sklerozë të shumëfishtë duke vendosur një fjongo portokalli në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje, transmeton Portalb.mk.

“Këtë vit, pikërisht në Ditën Botërore të Shëndetit, patëm numër të madh mbështetësish, bashkëpunëtorësh, maratonistësh me përvojë, njerëz të famshëm dhe më pak të njohur që dhanë mbështetje në rritjen e ndërgjegjësimit të përgjithshëm, dhe sigurisht gra që vuajnë nga skleroza e shumëfishtë morën pjesë edhe në këtë mënyrë, ata dëshmuan se përveç sëmundjes kronike dhe të mundimshme me të cilën përballen çdo ditë, e përvetësuan me sukses edhe këtë rrugë. Në këtë mënyrë ata inkurajuan të gjithë personat me sklerozë të shumëfishtë të jenë aktivë dhe dëshmuan se pjesëmarrja në vetvete është një fitore”, thonë nga shoqata.

Simbolika e lidhjes me Garën e Grave ishte tërheqja e vëmendjes për mbështetjen e grave që përballen me sklerozën e shumëfishtë (MS), pasi sëmundja diagnostikohet tre herë më shpesh te gratë sesa te burrat.

“Me një angazhim të përbashkët, ne mund të ndikojmë tek ata që marrin vendime për të bërë ndryshime pozitive në interes të personave me sklerozë të shumëfishtë”, thotë shoqata.

Skleroza e shumëfishtë (MS) është një nga çrregullimet neurologjike më të zakonshme dhe shkaqet e invaliditetit te të rinjtë. Ndodh kur sistemi imunitar sulmon mbulesën e qelizave nervore (myelin) në tru, palcën kurrizore dhe nervat optike, duke shkaktuar inflamacion dhe degjenerim të mëvonshëm, gjë që çon në ndërprerjen e neurotransmetimit të sinjaleve nga një qelizë nervore në tjetrën.

Në Maqedoninë e Veriut nga skleroza e shumëfishtë vuajnë rreth 1500 persona, ndërsa në botë ka më shumë se 2.8 milionë njerëz. Shumica e njerëzve diagnostikohen midis moshës 20 dhe 40 vjeç. Shkaku i sklerozës së shumëfishtë është ende i panjohur dhe ende nuk ka kurë, por ka medikamente që mund t’i ndihmojnë njerëzit me të marrin nën kontroll sëmundjen dhe ka shumë mundësi për përmirësimin dhe menaxhimin e simptomave.