Grabitje si nëpër filma në Kumanovë: Aksident, të shtëna dhe marrje e një çante me para

Në një aksion si nëpër filma kriminal, mbrëmë në rrugën “Done Bozhinov” në Kumanovë, një çantë me para i është marrë një 63 vjeçari nga Kumanova, njoftoi Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë, transmeton Portalb.mk.

Sipas SPB Kumanovë, grabitjes i kanë paraprirë të shtëna. Fillimisht disa persona kanë goditur me një xhip një makinë tjetër dhe më pas para se të marrin çantën me para kanë qëlluar me armë zjarri.

Policia e Kumanovës thotë se ngjarja ka ndodhur mbrëmë në ora 20:20, kur automjeti i pasagjerëve “Range Rover” me targa të Shkupit ka goditur veturën “Passat” me targa të Kumanovës të drejtuar nga 63-vjeçari S.S nga Kumanova. Pas përplasjes disa persona kanë qëlluar drejt drejtuesit të mjetit “Passat” dhe i kanë marrë një çantë me para. Më vonë, shton SPB Kumanovë, i kanë vënë flakën Range Roverit.

Policia thotë se po merren masa për zbardhjen e rastit.

Edhe Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Kumanovës ka konfirmuar se kanë fikur një veturë të djegur në rrugën “Done Bozhinov”.