Gjykata rumune mban në fuqi përjashtimin e Georgescut nga gara presidenciale

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka mbajtur në fuqi vendimin për t’ia ndaluar populistit, Calin Georgescu, pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të majit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Më 11 mars, Georgescu apeloi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që ia ndaloi pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale, pasi që kandidatura e tij “nuk përputhet me kushtet që i parasheh ligji”.

Vendimi ishte unanim, pasi të nëntë gjykatësit votuan për të refuzuar ankesën. Ministri i Drejtësisë, Radu Marinescu, tha se vendimi është obligues dhe duhet të respektohet. Ai mbrojti vendimin e gjykatës, duke thënë se “ekstremizmi është i papranueshëm në një shoqëri demokratike”.

Afër 500 mbështetës të Georgescut janë mbledhur para ndërtesës së Parlamentit të Rumanisë, ku gjendet edhe Gjykata Kushtetuese.

Georgescu, i cili është kritik i NATO-s dhe kundërshton mbështetjen rumune për Ukrainën që po lufton pushtimin rus, ishte fituesi i rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në nëntor të vitit 2024. Megjithatë, pas zgjedhjeve inteligjenca rumune tha se aktorët e huaj, me gjasë Rusia, kishin manipuluar platformat e rrjeteve sociale, veçanërisht TikTok-un, në të mirë të Georgescut.

Në një video të publikuar në Facebook pas vendimit të Kushtetueses, Georgescu tha se vendimi i gjykatës “nuk ishte dhe nuk është për Calin Georgescun. Mund të ishte kushdo tjetër. Sistemi nuk e pranon askënd që është jashtë tij”.

Duke thënë se ai ka “ekspozuar djallin dhe ligësinë e tij”, ai u tha mbështetësve që të ndjekin ndërgjegjen e tyre në mbështetje të kandidatëve të tjerë.

Mbështetësit e tij janë mbledhur para ndërtesës së Parlamentit të Rumanisë, ku ka selinë Gjykata Kushtetuese.

Protestuesit kanë brohoritur slogane sikurse “Georgescu, president”, “Poshtë diktatura” dhe “Ne nuk duam të udhëhiqemi nga hajdutët”.

Protestat në mbështetje të Georgescut më 9 mars ishin të dhunshme dhe dhjetëra zyrtarë policorë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit.

Politikanët nacionalistë kanë kundërshtuar vendimin e gjykatës. Aleati i Georgescut dhe udhëheqësi i Aleancës për Bashkimin e Rumunëve, parti ultranacionaliste, George Simion, shkroi në Facebook: “Turp [për Gjykatën Kushtetuese], turp, turp”.

Përderisa Georgescu vitin e kaluar garoi si kandidat i pavarur, ai është i lidhur me partinë e Simionit.

“Nuk do të na mposhtni. Populli rumun është zgjuar. Ata do të jenë fitimtarë”, shtoi ai.

Edhe udhëheqësja e partisë tjetër nacionaliste, Partisë së Rinisë, Anamaria Gavrila, tha se “disa gjykatës vendosën që të mos më lënë mua dhe miliona rumunë që të zgjedhim atë që duam për president të vendit”.