Gjuha shqipe në epokën e rrjeteve sociale: Seminari që diskutoi si po ndryshon realiteti i shqipes
Të premten u përmbyll me sukses edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili për disa ditë me radhë mblodhi studiues, profesorë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të apasionuar pas gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, shkruan Portalb.mk.
Ky edicion solli diskutime të vlefshme shkencore, ligjërata të pasura, aktivitete kulturore dhe mbi të gjitha krijoi ura të reja bashkëpunimi dhe miqësie. Në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 43-të, Seminari është cilësuar si traditë e rinueshme, njëri nga institucionet më jetëgjatë në përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Temat bosht në sesionin shkencor të gjuhësisë ishin dy: “Zhvillimet aktuale në leksikun e shqipes” dhe “Shqipja në rrjetet sociale”, përderisa në sesionin e letërsisë temë bosht ishte “Postmodernizmi në letërsinë shqipe”. Sesionet, siç ngjan përherë, ishin të hapura për publikun. Pas punës intensive me ligjërata, kumtesa e sesione shkencore për gjuhësi e letërsi, ceremonia e mbylljes, e mbajtur në Sallën e Kuqe në Fakultetin e Filologjisë, e ka kurorëzuar punën dyjavore.
Drejtoresha e Seminarit, Lindita Sejdiu-Rugova, në fjalën e saj përshëndetëse shprehu mirënjohje të thellë për pjesëmarrësit e këtij edicioni.
“Sot, në përmbyllje të punimeve 12-ditore të Seminarit të 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, dua t’ju shpreh në emër të organizatorëve dhe gjithë stafit mbështetës mirënjohjen më të thellë për pjesëmarrjen tuaj aktive, për kontributet e vyera dhe për frymën bashkëpunuese që e karakterizoi këtë ngjarje”, është shprehur Sejdiu-Rugova.

Prurjet e shumta akademike në këtë edicion, sipas drejtoreshës, do të shërbejnë si bazë e hulumtimeve më të gjera, duke krijuar në aspektin akademik edhe lidhje të reja.
“Njohuritë dhe mësimet që kemi shkëmbyer këtu do të mbeten një bazë e çmuar për hulumtime të mëtejshme dhe për lidhje të reja akademike. Ky rrugëtim nuk do të kishte qenë i mundur pa ndihmën institucionale të Fakultetit, të Universitetit, të Ministrisë së Kulturës dhe të asaj të Arsimit”, ka shtuar Sejdiu-Rugova.