Gjeorgji, 12 të vdekur nga rrëshqitjet e dheut në një zonë turistike

Është rritur në 12 numri i personave që kanë humbur jetën nga rrëshqitjet e dheut më 3 gusht në zonën turistike Shovi në rajonin Racha-Lechkumi dhe Kvemo Svaneti të Gjeorgjisë, transmeton Anadolu.

Pas rrëshqitjeve të dheut të enjten në Shovi, punimet e kërkimit vazhdojnë me pjesëmarrjen e një ekipi të kërkim-shpëtimit prej 400 persona dhe pjesëtarë të ushtrisë. Për të përshpejtuar përpjekjet e kërkim-shpëtimit po formohen ura të përkohshme si dhe ofrohet mbështetje me helikopterë nga ajri për zonën e fatkeqësisë në të cilën rrugët dhe urat janë dëmtuar.

Ministri i Zhvillimit Rajonal dhe Infrastrukturës së Gjeorgjisë, Irakli Karseladze në një deklaratë njoftoi se sot është gjetur trupi i pajetë i një personi tjetër. Punimet e kërkim-shpëtimit në Shovi ku deri më tani janë gjetur 12 trupa të pajetë, vazhdojnë nën kontrollin e zyrtarëve të qeverisë.

Në zonën e fatkeqësisë janë evakuuar 210 persona në zona më të sigurta. Sipas informacioneve të marra nga familjarët, mësohet se nuk ka asnjë lajm për 24 persona të cilët ndodheshin në rajon gjatë momentit të fatkeqësisë.

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili i cili ndjek punimet në Shovi, tha se për shkak të humbjeve të jetëve 7 gushti është shpallur “zi kombëtare”.