Gërvalla takohet me O’Brienin, diskutohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me ndihmëssekretarin e Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, me të cilin ka diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, shkruan Koha.net.

Gërvalla të shtunën në Facebook ka njoftuar se me O’Brienin ka diskutuar edhe për çështje të tjera.

“Në frymën e marrëdhënieve të posaçme ndërmjet dy shteteve gjatë takimit janë trajtuar aspekte të shumta të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, forcimit të sundimit të ligjit e demokracisë dhe jetësimit të aspiratave për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare. Diskutuam po ashtu rreth zhvillimeve të tjera aktuale në vend, duke vënë theksin në përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon si dhe zmbrapsjen e kërcënimeve të sigurisë”, ka shkruar Gërvalla.

O’Brien mori pjesë në inaugurimin e objektit të ri të ambasadës së Kosovës në SHBA para dy ditëve.