Gaza, në sulmet e ushtrisë izraelite gjatë natës u vranë 19 palestinezë

Të paktën 19 palestinezë, mes tyre gra dhe fëmijë, u vranë në sulmet e ushtrisë izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës gjatë natës, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, një nënë dhe fëmija i saj humbën jetën si pasojë e bombardimit të ushtrisë izraelite në shtëpinë e familjes Abu Dhaka në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Ushtria izraelite hapi zjarr mbi tendat e palestinezëve në pjesën Khan Younis të rajonit Al-Mawasi, ku janë strehuar shumë palestinezë të zhvendosur. Në Beit Lahiya në veri të Rripit të Gazës, 11 palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimit të ushtrisë izraelite në shtëpinë e familjes Hammude.

Burimet shëndetësore thanë se trupat e atyre që humbën jetën në sulmin izraelit u sollën në spitalin “Kemal Adwan” në rajon dhe se shumica e tyre ishin gra dhe fëmijë. Burimet thanë se ka pasur edhe persona të bllokuar nën rrënoja.

Si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite në shtëpinë e familjes Ed-Debaki në kampin e refugjatëve Al-Megazi në pjesët qendrore të Gazës, 3 palestinezë humbën jetën dhe 4 të tjerë u plagosën. Tre persona humbën jetën si pasojë e bombardimeve që kreu ushtria izraelite në shtëpinë e familjes Salman në zonën Tel ez-Zater në Jibaliya, në veri të Rripit të Gazës.

Shumë palestinezë u plagosën kur ushtria izraelite bombardoi shtëpinë e familjes Al-Jadili në kampin e refugjatëve Nusairat në pjesët qendrore të Gazës. Njësitë e artilerisë bombarduan edhe zonat veriperëndimore të kampit.

Ndërsa ushtria izraelite shënjestroi lagjet Tel el-Heva, Ez-Zaitoun dhe Al-Sabra me zjarr artilerie në qytetin e Gazës, mjetet ajrore pa pilot gjithashtu fluturuan poshtë në rajon. Ushtria izraelite vazhdoi të bombardojë me zjarr artilerie pjesët lindore të qytetit të Deir al-Balah.

Në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 40.223 palestinezë, përfshirë të paktën 16.480 fëmijë dhe 10.980 gra ndërsa 92.981 u plagosën.

Derisa raportohet se ka ende mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar.