Gashi as nuk ka konfirmuar dhe as demantuar se është dakorduar që të jetë kryetar i Kuvendit

Lideri i Alternativës, Afrim Gashi, për të cilin këtyre ditëve po spekulohet se do ta merr funksionin e kryetarit të Kuvendit pas formimit të qeverisë së re, tani për tani as nuk po e konfirmon e as demanton se midis Koalicionit “Vlen” dhe VMRO-DPMNE-së si partnerë të ardhshëm koalicioni është arritur një marrëveshje e tillë, njofton Portalb.mk.

Ai në intervistën e mbrëmshme për Televizionin Alsat thotë se një prej pikave për të cilat kanë biseduar me VMRO-DPMNE-në është që Koalicionit “Vlen” t’i takojë funksionin i spikerit të Kuvendit. Gashi as nuk ka konfirmuar e as demantuar se do të jetë kryetar i ardhshë i Kuvendit.

“Për ne ka qenë e rëndësishme që shqiptarët ta vazhdojnë ta ushtrojnë njërin nga tre funksionet në vend dhe natyrisht se për shkak se kryeministri dhe kryetari i shteti dihet kush do të jetë, ne kemi kërkuar që kryetari i parlamentit tu takojë shqiptarëve. Ende marrëveshja nuk është definitive, ne parimisht jemi marrë vesh për disa pozita, është korrekte që të presim këto marrëveshje që i kemi dakorduar me VMRO-në të kalojnë në organet tona partiake dhe besoj që brenda afatit kushtetues ligjor që është 28 majin atë ditë besoj se është dita kur do të konstituohet parlamenti mendoj se të gjithë do ta kemi të qartë se cili është propozimi i përbashkët i koalicionit për kryetar të parlamentit”, deklaroi Gashi.

Arben Taravari, njëri nga partnerët e koalicionit “VLEN” e që aktualisht është kryetar i Komunës së Gostivarit, më 23 maj 2024 tha se ende nuk ka vendosur nëse do të jetë në qeverinë e ardhshme si ministër. Ai ka konfirmuar se një pjesë e shkrimeve të disa mediave për ndarjen e dikastereve qeveritare dhe posteve zyrtare janë të sakta. Sipas Taravarit, ndoshta sot ose nesër do të shpallet marrëveshja përfundimtare mes partnerëve të ardhshëm qeveritar, VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së.

“Aleanca do të ketë dy ministri, një zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë dhe transparencë dhe ministrin e shëndetësisë dhe dy zëvendësiministra, si dhe dy sekretar shtetëror, gjegjësisht zv.ministër për mbrojtje dhe zv.ministër për bujqësi. Sekretar shetëror në shëndetësi dhe një tjetër që tani nuk më kujtohet”, shprehet Taravari.

Koalicioni “Vlen” dhe VMRO-DPMNE kanë formuar grupe pune të cilët po zhvillojnë takime për negociata për koalicionim të përbashkët. Koalicioni “Maqedonia juaj” që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE ka fituar 58 mandate parlamentare, ndërsa Koalicioni VLEN me 13.