FSK-ja “gabimisht” në veri, kanalet serbe e paraqitën si “pushtim”

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) hyri të enjten për pak minuta në veri të vendit me disa automjete ushtarake, ngjarje që u shndërrua menjëherë në material dezinformues për mediat dhe kanalet serbe në Telegram. Sipas autoriteteve kosovare, automjetet u futën gabimisht në veri dhe më pas të shoqëruara nga Policia e Kosovës, u larguan menjëherë nga ajo pjesë, shkruan Sbunker.

Por në hapësirën online serbe, ngjarja u paraqit si “provokim” dhe “kërcënim ndaj popullit serb”. Kanali Koridor  publikoi një thirrje dramatike për “rezistencë”, duke përdorur gjuhë nxitëse dhe duke e krahasuar FSK-në me “ushtri terroriste”. Në postimin të të njëjtit kanal, u pretendua se “terroristët shqiptarë kanë mbërritur në veri të Kosovës”, duke nxitur frikë dhe tensione mes lexuesve serbë.

Duket se Z. Bean ka një problem, ai ka sjellë një ushtri terroriste në veri për t’u treguar dhëmbët njerëzve të pambrojtur! Dhe nëse ai dëshiron të provokojë konflikte, le t’i lutemi Zotit që të ketë sukses sepse duhet t’i japim fund kësaj një herë e përgjithmonë”, shkruan në postimin që shoqërohej edhe me një video ku shihen  mjetet e rënda të FSK-së.

Retorika e këtij lloji është tipike për kanalet që nxisin emocione dhe mobilizim. Ajo synon të prodhojë frikë dhe të përforcojë ndarjen etnike, duke paraqitur çdo veprim të institucioneve të Kosovës si “sulm ndaj popullit serb”.

Kjo narrativë u përforcua edhe nga mediat kryesore në Serbi. Televizioni publik serb, raportoi se: “Albin Kurti ka dërguar trupa të FSK-së në veri”, duke e shoqëruar lajmin me tone dramatike, pa përmendur sqarimin e autoriteteve kosovare. Po ashtu, Alo.rs dhe B92 e paraqitën rastin si “provokim të qëllimshëm” dhe “kërcënim të rrezikshëm”, duke cituar Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e quajti këtë “veprim të radhës terrorist të Albin Kurtit”.

Asnjëra prej këtyre mediave nuk përmendi në momentet e para sqarimet e FSK-së apo të Policisë së Kosovës  duke kontribuar në përhapjen e ndjesisë se diçka e madhe po ndodh në veri.

Sipas njoftimit zyrtar të FSK-së, një konvoj që po udhëtonte nga Istogu drejt një lokacioni tjetër në Mitrovicë e ngatërroi drejtimin dhe gabimisht kaloi për pak minuta në pjesën veriore të qytetit.

Forca e Sigurisë së Kosovës njofton publikun që sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes”, shkruan në njoftimin e FSK-së.

Pas kontaktit me Policinë e Kosovës, automjetet u shoqëruan dhe u larguan nga ajo pjesë.

Edhe Policia e Kosovës, përmes zëvendësdrejtorit për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi se bëhej fjalë për një gabim në orientim dhe se nuk kishte pasur asnjë qëllim operativ apo të sigurisë.

Megjithatë, ky sqarim nuk e ndali përhapjen e një narrative alarmiste në kanalet e Telegram që tradicionalisht amplifikojnë mesazhet në situatë të tilla.

Ky rast  tregon se si dezinformimi funksionon si mekanizëm i shpejtë për tensionim artificial të situatës në veri të Kosovës. Një ngjarje, në këtë rast një gabim drejtimi të automjeteve  u transformua brenda pak minutash në “kërcënim ndaj popullsisë serbe”.

Kjo metodë është e njohur në kampanjat e mëparshme të dezinformimit që kanë shënjestruar Kosovën. Fillimisht përhapet një version dramatik, pastaj amplifikohet nga tabloidet dhe më pas shpërndahet në Telegram, ku ndjekësit e lexojnë si thirrje për reagim.

Mes Kosovës dhe NATO-s, aktualisht ka një marrëveshje që vazhdon të jetë në fuqi, të cilën e pati nënshkruar ish-kryeministri Hashim Thaçi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, sipas së cilës Kosova nuk mund ta dërgojë ushtrinë në veri pa lejen e posaçme të Komandantit të KFOR-it.