Fotografi nga trajnimi u keqpërdorur për të mohuar zbritjen e astronautëve në Hënë

Postimi nuk e përmend faktin se fotografia që ndahet nuk është fare realizuar në Hënë, por në Florida, gjatë ushtrimeve ose trajnimeve para se të fillonte misioni, pra në fazën përgatitore të tij. Prandaj edhe astronautët, megjithëse mbajnë kostume hapësinore, nuk mbajnë helmeta, shkruan Vërtetmatësi.

“Po analizojmë një postim në Facebook i cili thotë:”

“Një foto nga filmi për fëmijë ‘shkonim në Hënë’.”

Kjo fotografi prej vitesh përdoret në internet për të vënë në dyshim faktin që misioni Apollo ka qenë në Hënë.

Vërtetmatësi ka shqyrtuar disa burime lidhur me këtë fotografi. Njëri prej tyre, revista Science Times, shkruan se bëhet fjalë për fotografinë me numër 72-H-249, në të cilën shfaqet ekuipazhi i Apollo 16 duke pozuar gjatë një ushtrimi trajnues në Qendrën Hapësinore Kennedy. Të paraqitur nga e majta në të djathtë janë: piloti Charles Duke, komandanti John Young dhe piloti Thomas Mattingly. 

Të tre burrat me skafandra pa helmeta janë paraqitur në një fotografi që është shpërndarë dhjetëra mijëra herë në rrjetet sociale në postime si “dëshmi se zbritja në Hënë nuk ka ndodhur”. Por, fotografia është përdorur jashtë kontekstit. NASA e realizoi këtë fotografi gjatë një seance trajnimi për astronautët në qendrën hapësinore amerikane në vitin 1972. Ajo nuk është publikuar asnjëherë si fotografi e bërë në Hënë, shkruan Science Times. 

Fotografia mund të gjendet edhe në faqen zyrtare të NASA-s në Flickr.

Titulli i fotografisë është: “Astronautët e Apollo 16 stërviten për uljen në Hënë, 6 shkurt 1972.”

Misioni u nis drejt Hënës nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida më 16 prill 1972, dy muaj pas realizimit të fotografisë që po e analizojmë në këtë postim. Misioni u përball me disa probleme gjatë rrugës drejt Hënës. Problemi kryesor ishte se motori kryesor filloi të shfaqte defekte, gjë që çoi në një vonesë dhe pezullim gjashtëorësh; madje, menaxherët e NASA-s menduan edhe për anulimin e misionit. Megjithatë, problemi u kapërcye. Edhe pse NASA i dha leje Apollo 16 të zbriste në Hënë, astronautët u kthyen një ditë më herët nga sa ishte planifikuar. John Young dhe Charles Duke kaluan 71 orë në sipërfaqen e Hënës, dhe gjatë qëndrimit realizuan tre aktivitete jashtë anijes, me një kohëzgjatje totale prej 20 orë e 14 minuta. Ata përdorën një rover hënor, me të cilin përshkuan gjithsej 26,7 kilometra, dhe mblodhën 95,8 kilogramë mostra hënore, që i sollën në Tokë. Ndërkohë, Thomas Mattingly orbitoi rreth Hënës dhe realizoi fotografi. Apollo 16 u kthye sigurt në Tokë më 27 prill 1972.

Këtu mund të gjeni më shumë informacion për misionin Apollo 16, por është e qartë se nuk bëhet fjalë për të njëjtin mision në të cilin mori pjesë Neil Armstrong. Misioni Apollo 11, më 20 korrik 1969, me astronautin Armstrong, ishte misioni i parë në të cilin njeriu zbriti në Hënë.

Një numër i madh mediash ndërkombëtare ndër vite kanë publikuar përgënjeshtrime të dezinformatave se zbritja në Hënë nuk ka ndodhur kurrë. Shembuj mund të shihen këtu dhe këtu.

Për shkak të të gjitha fakteve të lartpërmendura, postimin që po e analizojmë e vlerësojmë si të pavërtetë, pasi nuk përmendet fakti që fotografia që shpërndahet nuk është bërë aspak në Hënë, por në Florida, gjatë ushtrimeve apo trajnimeve, para se misioni të fillonte – pra, në fazën përgatitore të tij. Prandaj edhe astronautët, megjithëse kanë veshur skafandra, nuk mbajnë helmeta.