Fluturim i ri për të evakuuar qytetarët e RMV-së nga Bahreini, Kuvajti dhe Arabia Saudite
Një fluturim i ri po organizohet për të evakuuar qytetarët e Maqedonisë nga Bahreini, Kuvajti dhe Arabia Saudite. Aeroplani është planifikuar të niset nga Riadi, kryeqyteti i Arabisë Saudite, dhe për shkak se nuk ka marrëveshje të drejtpërdrejtë ajrore me autoritetet arabe, ulja do të bëhet në aeroportin e Prishtinës, nga ku pasagjerët do të transportohen me autobus për në Shkup, transmeton Portalb.mk.
“Gjithsej 153 pasagjerë janë regjistruar për të fluturuar nga Riadi – Aeroporti Ndërkombëtar King Khaled. Nga këta, 9 janë nga Arabia Saudite, 15 nga Bahreini, 96 nga Katari dhe 33 nga Kuvajti. Dëshirojmë të theksojmë se i gjithë organizimi i fluturimeve, përfshirë të gjitha kostot përkatëse, mbulohet nga Qeveria përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme”, informoi Ministria e Punëve të Jashtme.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, paraprakisht deklaroi se evakuimi i qytetarëve të Maqedonisë nga disa vende në rajon po kryhet në mënyrë të koordinuar dhe se procesi pritet të përfundojë deri në fund të javës.
Dje, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mbërriti grupi i dytë i qytetarëve të Maqedonisë, të cilët fluturuan shëndoshë e mirë nga Dubai dhe u larguan nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Janë gjithsej 150 pasagjerë, nga të cilët 125 janë shtetas nga Maqedonia, 7 shtetas të Serbisë, 11 shtetas të Kosovës, 2 shtetas të Bosnjës dhe Hercegovinës, 2 shtetas të Shqipërisë, 1 shtetas i Gjermanisë, 1 shtetas i Armenisë dhe 1 shtetas i Malit të Zi.
Sipas Ministrisë, rreth 200 shtetas të Maqedonisë ndodhen aktualisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, por ata nuk kanë kërkuar evakuim për momentin.
Përkeqësimi i situatës së sigurisë në Iran lidhet drejtpërdrejt me tensionet e brendshme dhe ato ndërkombëtare që janë intensifikuar ditët e fundit. Autoritetet iraniane u kanë bërë thirrje disa ambasadorëve të huaj për sqarime, duke i akuzuar se mbështetja e tyre publike për protestuesit përbën “ndërhyrje të papranueshme” në punët e brendshme të vendit. Këto reagime vijnë në një kohë kur protestat dhe pakënaqësitë sociale kanë nxitur masa të shtuara sigurie, rritje të pranisë policore dhe kufizime të mundshme për lëvizjen e qytetarëve dhe të huajve në disa zona.
Në të njëjtën kohë, situata është tensionuar edhe më shumë nga përplasjet politike dhe kërcënimet në planin ndërkombëtar, veçanërisht mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Administrata amerikane ka diskutuar hapur opsione ushtarake dhe masa të tjera presioni ndaj Teheranit, ndërsa presidenti Donald Trump ka deklaruar se Irani ka kërkuar bisedime pas kërcënimeve ushtarake të SHBA-së.
Kjo klimë pasigurie, e shoqëruar me rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, ka shtyrë shumë shtete të rishikojnë udhëzimet e udhëtimit dhe të apelojnë për largimin e qytetarëve të tyre, përfshirë edhe thirrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.