Flladi i natës nuk mund të shijohet në Banjën e Tetovës, ndriçimi pjesërisht funksional (Foto)

Ndriçimi publik përgjatë rrugës për në Banjën e Tetovës nuk është komplet funksional. Nëpër shumë shtylla nuk ka dritë dhe kjo ka shkaktuar revoltë te qytetarët të cilët e frekuentojnë banjën gjatë orëve kur errësohet. Qytetarët kërkojnë që ky problem të zgjidhet, ndërsa kryetari i Komunës së Tetovës tha se do të insistojë që kjo të zgjidhet, shkruan Portalb.mk.

Shtyllat që nuk ndriçojnë për vizituesit e banjës përbëjnë rrezik, kryesisht nga qentë endacakë të cilët janë të pranishëm edhe në këtë zonë. Qytetarët kërkojnë zgjidhje.

“Mos-funksionimi si duhet i ndriçimit publik në banjën e qytetit na bën edhe më të rrezikuar nga qentë endacak në atë pjesë, pasi realisht ka shumë, sidomos në mbrëmje, ndërsa shumë prej nesh të vetmen kohë për sport e kemi mbrëmjen. Unë eci çdo natë, ndriçimi thuajse asnjëherë nuk është tërësisht funksional”, tha në qytetar.

“Për shkak të rritjes së temperaturave këto ditë e kam frekuentuar pasdite Banjën, ndërsa më ka rënë të kthehem teposhtë kur filloi të errësohet ndërsa ndriçimi nuk është tërësisht funksional. Mendoj se duhet të rregullohet pasi tani qytetarët do e frekuentojnë më shumë edhe natën, për shkak të nxehtit”, tha një qytetar tjetër.

Kështu duket kjo rrugë gjatë natës.

Në lidhje me këtë problem pyetëm kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin. Ai tha se do të insistojë që ky problem të zgjidhet.

“Do të intervenoj dhe do ta shoh ku është problemi, e dini që tanimë po ndërrohet ndriçimi publik në të gjithë qytetin, ka një plan të intervenimit. Në pjesën qendrore janë ndryshuar gjitha poçet elektrikë dhe në këtë fazë do insistoj për shkak të frekuentimit që edhe rruga e banjës sa më shpejtë të ndryshohen poçet dhe sa më shpejtë të kemi ndriçim ashtu siç e meritojnë qytetarët”, tha Kasami.

Ndryshe, Rruga për në Banjën e Tetovës edhe pse e rregulluar në vitin 2017 vazhdimisht përballet me probleme të ndryshme si ajo e ndriçimit apo rrëshqitja e dheut. Në dhjetor të vitit 2023 përfundoi muri mbajtës, ndërsa me 30 maj 2024 filluan punimet për vazhdimin e tij.